Në kohën kur po zhvillohen takime politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, në diskutim është edhe profili që duhet ta ketë një president konsensual.
Por, përtej një marrëveshjeje politike për emrin, njohësit e çështjeve kushtetuese theksojnë se kandidati duhet të përmbushë disa kritere ligjore dhe të ketë tipare që e bëjnë atë të pranueshëm përtej ndarjeve partiake, raporton KosovaPress.
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se kandidati duhet të nisë nga përmbushja e kushteve formale dhe juridike. Ai përmend moshën mbi 35 vjeçare dhe qëndrimin në Kosovë në dhjetë vitet e fundit si kritere ligjore. Por, sipas tij, përkufizimi i një presidenti konsensual shkon përtej këtyre kritereve.
Kryeziu thekson se presidenti, sipas Kushtetutës, është faktor i unitetit dhe ka për detyrë përfaqësimin ndërkombëtar, bashkëpunimin me institucionet e tjera, partitë politike parlamentare, si dhe ruajtjen e rendit juridik dhe kushtetues të vendit.
Për të, në krye të shtetit duhet të jetë një person me njohuri politike dhe përvojë institucionale, i cili mund ta ushtrojë funksionin pa u identifikuar me përplasjet partiake.
“Se pari duhet me i përmbush kushtet formale, juridike që i quajmë ne. Duhet t’i ketë 35 vjeç dhe duhet të jetë rezident dhjetë vitet e fundit në Kosovë. Pastaj konsensual nënkupton një person i cili i sheh partitë politike të njëjta dhe mos me i pa partitë politike si kundërshtarë. Në bazë të Kushtetutës, presidenti është faktor i uniteti, i cili ka për detyrë bashkëpunimin e partive politike parlamentare. Po ashtu, ka për detyrë ruajtjen e rendit juridik dhe kushtetues të vendit. Duhet me qenë një njeri normal, që ka njohuri politike dhe ka përvojë institucionale… Ka njerëz mjaftueshëm të tillë në Kosovë. Nuk duhet me kërkuar diçka çka nuk ka. Këta po kërkojnë diçka çka nuk ka. Çfarë kategorie, karakteri duhet me pas ai? Duhet me qenë njeri normal dhe sigurisht si presidentët e tjerë çka kanë qenë”, thekson ai.
Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, thotë se në procesin e zgjedhjes duhet të respektohen fillimisht kriteret kushtetuese dhe ligjore.
Sipas tij, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë që mbron integritetin e zyrës së Presidentit dhe i ushtron në mënyrë adekuate kompetencat që ia përcakton Kushtetuta.
Por, krahas profilit të kandidatit, Shala e sheh të domosdoshëm edhe kompromisin politik.
“Duke mos përmendur emra specifikë, ajo që vlerësojmë është shumë e rëndësishme që të zgjidhet fillimisht një president që i plotëson kushtet e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj, kjo është e para. E dyta, një president që mbron integritetin e zyrës së presidentit dhe ushtron në mënyrë adekuate kompetencat kushtetuese që ka presidenti…. 06:15 Në secilën situatë, partitë politike duhet të gjejnë kompromisin e tyre për t’i dhënë Kosovës një president brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës. Barra më e madhe për gjetjen e kësaj marrëveshjeje politike i takon subjektit të parë që ka edhe pjesën më të madhe të numrave në Kuvend”, shton ai.
Kryeministri në detyrë, njëherësh lideri i LVV-së, Albin Kurti, është takuar të martën me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për çështjen e presidentit.
Pas takimit, të dy thanë se ka vullnet të dyanshëm për ta zgjedhur president një figurë unifikuese dhe konsensuale. Të njëjtit nuk përmendën emra, por thanë se do të diskutojnë në organet e brendshme partiake dhe pastaj, në takimin e radhës, do të paraqesin emra konkretë për president. Ndërkohë në këto diskutime nuk janë përfshirë Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.
Marrëveshja politike për presidentin, sipas LVV-së, që ka fituar mbi 47 për qind në zgjedhjet e 7 qershorit, ka lënë peng edhe konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituuar, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të.
Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend. Kreu i VV-së, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Megjithatë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar aksionet politike për të kërkuar mbajtjen e seancës konstituive. /KP/

