Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot në rrugën “Shkupi” në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë për Kryeqytetin, Enis Pllana, ka bërë të ditur se informata për aksidentin është pranuar rreth orës 12:00.
“Sot rreth orës 12:00, Policia ka pranuar informatën se në rrugën Shkupi në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale”, ka thënë Pllana.
Sipas tij, në aksident janë përfshirë dy vetura.
“Si pasojë e lëndimeve të marra, një person ka ndërruar jetë, kurse një tjetër ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor”, ka deklaruar ai.
Pllana ka shtuar se Njësitet e Trafikut të Kryeqytetit, në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

