Takimi mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentes së Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ishte spontan dhe nuk ishte planifikuar paraprakisht, thanë zyrtarë të KE-së.
“Ata u takuan rastësisht dhe shkurtimisht në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ishte një takim spontan, një nga rastet shumë të rralla të tilla, ndaj mendoj se nuk kemi asgjë për të shtuar përveç asaj që thashë më herët. Takimi ishte shumë i shkurtër, spontan dhe asgjë më shumë se kaq”, tha në një konferencë për media zëdhënësja e KE-së, Ariana Podesta.
Presidenti i Serbisë publikoi në llogarinë e tij në Instagram një fotografi ku shihet duke i dhënë dorën von der Leyenit dhe tha se gjatë bisedës së shkurtër i shprehu “mirënjohje të sinqertë për gjithçka që ka bërë për Serbinë gjatë viteve të fundit”.
Von der Leyen publikoi në rrjetet sociale një varg takimesh që pati në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila këtë javë po mbahet në selinë e OKB-së në Nju Jork, por nuk publikoi ndonjë postim lidhur me bisedën me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Von der Leyen javën e ardhshme do të udhëtojë në rajon, në kuadër të turneut të saj tradicional vjetor në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, këtë herë ajo do ta anashkalojë Serbinë, si dhe Bosnje dhe Hercegovinën. Shpjegimi zyrtar i Komisionit Evropian është se në këto dy vende po zhvillohen fushata parazgjedhore.
Jozyrtarisht, megjithatë, konfirmohet se edhe reagimi i autoriteteve lidhur me vdekjen e Ratko Mlladiqit, të dënuar për krime lufte, si dhe varrimi i tij me tij me nderime shtetërore në Beograd, ka ndikuar në vendimin e shefes së KE-së që këtë herë të mos e vizitojë Serbinë.
Më 8 shtator, von der Leyen, së bashku me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se ishte e tronditur nga pamjet e varrimit të Ratko Mlladiqit.
Edhe gjatë fjalimit të saj vjetor për gjendjen e Bashkimit Evropian më 16 shtator, von der Leyen tha se ishte “e tmerruar nga pamjet” e varrimit të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mlladiq./REL/
The post KE-ja thotë se takimi von der Leyen-Vuçiq ishte “spontan dhe i shkurtër” appeared first on Gazeta Express.

