Rritja e aneks-kontratave në prokurimin publik, keqdeklarimi i mundshëm i numrit të nxënësve dhe studentëve, si dhe mungesa e një sistemi të unifikuar të të dhënave për listat e pritjes në shëndetësi, janë disa nga rreziqet e korrupsionit të identifikuara në tri fusha të rëndësishme të jetës publike në Kosovë.
Këto gjetje u prezantuan të enjten në tryezën “Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit: Nga rreziqet tek zgjidhjet”, të organizuar nga Sbunker, ku u prezantuan tri dokumente të politikave publike që trajtojnë prokurimin publik, arsimin dhe shëndetësinë, transmeton KP.
Drejtori ekzekutiv i Sbunkerit, Fitim Gashi, tha se luftimi i korrupsionit nuk duhet të fokusohet vetëm në rastet kur ai tashmë ka ndodhur, por edhe në identifikimin dhe parandalimin e rreziqeve.
“Korrupsioni dihet se vazhdon të jetë një nga problematikat kryesore për funksionimin e institucioneve publike, besimin e qytetareve dhe përdorimin e drejtë dhe transparent të resurseve publike. Pra, kur flasim për korrupsionin nuk duhet të fokusohemi vetëm te rastet kur ai tashmë ka ndodhur, është po aq e rëndësishme të kuptojmë se ku krijohen rreziqet, cilat janë dobësitë që e mundësojnë atë dhe çfarë mund të bëhet për të parandaluar para se të shndërrohet në dem konkret të qytetarëve dhe interesin publik”, ka thënë Gashi.
Në fokus të dokumentit “Aneks-kontratat nën llupë”, të autorit Sefer Zogaj, është rritja e konsiderueshme e përdorimit të aneks-kontratave në prokurimin publik.
Zogaj tha se të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti 2021 deri më 2025, aneks-kontratat janë rritur për 482 për qind, ndërsa rritja e përgjithshme e kontratave publike në të njëjtën periudhë ka qenë 132 për qind.
Sipas tij, vlera e aneks-kontratave në vitin 2025 ka kaluar 18 milionë euro.
Ai sqaroi se aneks-kontratat janë të lejuara me Ligjin për Prokurimin Publik, por problemi, sipas tij, qëndron te mënyra e kërkimit, pranimit, zbatimit dhe transparencës së tyre.
“Në bazë të të dhënave publike të prokurimit publik, brenda pesë viteve të fundit, pra krahasimi në mes të vitit 2021 dhe3 2025 ka rezultuar se aneks kontratat në Kosovë kanë pasur rritje për 482 për qind. Pra, vlera e aneks kontratave për vitin 2025 ka qenë mbi 18 milion. Pra, ndonëse në përbërje të totalit përfaqëson vetëm 2 për qind të vlerës së përgjithshme të kontratave të prokurimit publik, megjithatë në vitin 2025, mbi 1 miliard euro ka qenë nënshkrimi i kontratave publike që nënkupton edhe një pjesëmarrje për më pak se 2 për qind përfaqëson mbi 18 milion euro aneks kontrata… Aneks kontratat duhet të ekzekutohen, në Kosovë, ka një përafrim me standardet e BE-së, pra nuk është problemi tek imperativat, Kosova posedon ligjin për prokurim publike, problemi eksiton tek kërkesa, pranimi, zbatimi, implementimi i aneks kontratës dhe mungesa e transparencës publike. Perceptimi qytetarë është negativ sa i përket ankesës kontratës…Bazuar në të dhënat zyrtare që kemi nxjerrë nga raportet e prokurimit publik, rritja totale e kontratave nga viti 2021 deri në 2025 është 132 për qind, ndërsa aneks kontratat 482 për qind”, ka thënë Zogaj.
Zogaj përmendi si raste të trajtuara në dokument kontratën e Ministrisë së Infrastrukturës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, si dhe raste në komunat e Gjakovës dhe Lipjanit.
Zogaj tha se në rastin e autostradës “Arbën Xhaferi”, zgjatja e afatit të ndërtimit kishte rezultuar me humbje prej miliona eurosh dhe ishte përcjellë me proces hetimor dhe procedura të gjata në sistemin e drejtësisë.
Në dokumentin “Përtej rishqyrtimit, rreziqet e reja të korrupsionit në sistemin arsimor”, autori Ardit Kika tha se rënia e numrit të nxënësve dhe studentëve po krijon rreziqe të reja për menaxhimin e institucioneve arsimore.
Sipas tij, përgjysmimi i numrit të nxënësve dhe studentëve brenda një dekade mund të krijojë nxitje për keqdeklarim të të dhënave nga institucionet, me qëllim ruajtjen e vendeve të punës.
“Korrupsioni në arsim paraqet edhe vjedhje të ëndrrave të nxënëseve që po dalin keq në PISA këtë kohë, e po ashtu edhe grabitje të ardhmes së tyre. Tek raporti kemi përgjysmim të numrit të nxënësve dhe studenteve në 10 viteve, kjo e ndryshon llogaritjen e korrupsionit, ku rritet rreziku i korrupsionit. Institucionet, menaxheret e institucioneve i kanë të gjitha motivet e mundshme tash që t’i keqdeklarojnë numrat e nxënësve, numrin e klasave që kanë, numrin e studenteve. Qëllimi është mbajtja në punë e mësimdhënësve, stafit të tyre…Në të njëjtin kohë ky rrezik ka dimension goxha real dhe nëse vëren se sa dhe në çfarë mënyrë përdoren sistemet elektronike, të regjistrimit të numrit të studentëve dhe nxënëseve, vijueshmërisë së tyre. Këtë e kanë pranuar edhe në komunat se kanë ngecje në raporte të MASHT-it dhe në planet e integritetit të komunave, siç është Komuna e Lipjanit…Raportin të cilin e kemi realizuar, rekomandon edhe depolitizim të sistemit arsimor, duke filluar nga arsimi para-universitar, politizimi ka efekt rrënues…Ministrisë së Arsimit i kemi rekomanduar, digjitalizim dhe të njëjtën kohë edhe ngritje të transparencës në proceset arsimore dhe të mbikëqyrë dhe inspektojë në mënyrë më të rreptë zbatimin e udhëzimit mbi sistemin e të dhënave në sistemin para universitar”, ka thënë Kika.
Derisa në dokumentin “Keqmenaxhimi që prodhon pritje: Integriteti, transparenca dhe përdorimi i resurseve në shëndetësinë publike”, autorja Saranda Ramaj ka trajtuar listat e pritjes dhe rreziqet e korrupsionit në shëndetësi.
Sipas saj, një prej problemeve kryesore të evidentuara është mungesa e një sistemi të unifikuar të informacionit shëndetësor.
Ramaj theksoi se, përkundër faktit që sipas ligjit dhe udhëzimeve administrative shëndetësia në Kosovë është sistem i unifikuar, informacionet, veçanërisht ato për listat e pritjes, nuk janë të unifikuara.
Ajo tha se mënyra e raportimit të të dhënave ka degraduar dhe kjo e ka vështirësuar edhe hartimin e raportit.
Sipas saj, deri në vitin 2023 ka pasur një matje më konstante të indikatorëve, ndërsa nuk është e qartë nëse është matur secili shërbim dhe secila klinikë që prodhon listat e pritjes.
Ramaj tha se rritja e buxhetit për barna dhe investime në vitet e fundit nuk ka nënkuptuar domosdoshmërisht ulje të listave të pritjes.
“Në këtë raport e kemi trajtuar listat e pritjes dhe rreziqet e korrupsionit në shëndetësi… Ajo çka ne kemi gjet, fillimisht është që ne nuk kemi së pari sistem të informacionit të pafragmentuar, sistemi i informacionit në shëndetësi është i fragmentuar, dallojnë të dhënat të cilat do duhej të ishin të unifikuara mes spitaleve rajonale dhe QKUK-së. Kjo e bënë shumë problematike diagnostikimin e saktë të gjendjes. Çështja e dytë që është problematike tek listat e pritjes është që, përkundër që sipas ligjit edhe udhëzimeve administrative dhe infrastrukturës përcjellëse ligjore, shëndetësia në Kosovë është sistem i unifikuar. Do të thotë, edhe mjekësia primare edhe shëndetësia sekondare terciare në SHSKUK. Do të duhej që informacionin ta kishin unik, e veçanërisht në listat e pritjes…Nga raportet vjetore të vitit 2024 e tutje, pra dy raportet e fundit 2024 edhe 2025… Fillimisht është mënyra se si ne i menaxhojmë listat e pritjes. Çka ka dashur raporti me potencu edhe që është komponentë e rëndësishme karshi institucioneve, kjo pikërisht për shkak të rritjes shumë të madhe në rrethanat e Kosovës dhe buxhetit, për shkak që buxheti edhe për barna edhe për investime viteve të fundit është rritur”, ka thënë Ramaj.
Ajo kritikoi edhe mënyrën se si planifikohen investimet në infrastrukturën shëndetësore.
“Raportet në shëndetësi gjithmonë nuk bazohen në evidencë të saktë. Nëse shohim raportet e vitit 2024 dhe 2025 nga ajo që kemi identifikuar, janë në secilin repart të paktën 5 të dhëna, të cilat nga faqja e parë në të fundit janë të përshkruara ndryshe…Ne flasim non-stop në Kosovë për spitale dhe klinika të reja, por ajo çka na tregojnë statistikat se asnjë spital në Kosovë nuk ka shfrytëzueshmëri të shtarëtëve mbi 50 për qind. Që nënkupton një keqorganizim i sistemit, ku kemi klinika të cilat detyrohen dy, tre pacientë të shfrytëzojnë një shtrat…Planifikimi i blerjes së pajisjeve nuk nënkupton gjithmonë që po tentohet të adresohet lista e pritjes, ne kemi identifikuar disa raste ku pajisjet që janë blerë jo domosdoshmërisht kanë ndikuar në listë të pritjes. Kjo flet që menaxhmenti i SHSKUK-së por edhe Ministria e Shëndetësisë nuk e ka ndonjë plan konkret që e lidh planifikimin e blerjeve me listën e pritjes…Ne jemi të kufizuar kur bëjmë krahasim me shtete tjera, për shkak se nuk kemi sigurime shëndetësore”, ka theksuar Ramaj.
The post Rriten rreziqet e korrupsionit në prokurim, arsim e shëndetësi – aneks-kontratat u rritën 482 për qind appeared first on Gazeta Express.

