Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka njoftuar se është drejtuar me një kërkesë zyrtare Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit të pretenduar si “Top Secret 2”, i cili, sipas pretendimeve të bëra publike, është nxjerrë nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli.
Në kërkesën zyrtare drejtuar kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj, thuhet:
“Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), përmes kësaj kërkese zyrtare, kërkojmë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës zbardhjen e plotë të çështjes së dokumentit të pretenduar si “Top Secret”, përfshirë origjinën, autenticitetin, mënyrën e sigurimit dhe publikimit të tij, si dhe rrethanat e nxjerrjes së pretenduar nga telefoni i të pandehurit Fatmir Sheholli.”
Më tej, në kërkesën e Tërnavës thuhet se përmbajtja e këtij dokumenti dhe pretendimet e shfaqura në hapësirën publike “e paraqesin Bashkësinë Islame të Kosovës në një dritë të rreme, duke e cilësuar atë gjoja si një institucion nën ndikimin e shërbimeve të huaja të sigurisë, ndërsa xhamitë dhe medresetë si institucione të financuara për qëllime destabilizuese”.
“Këto janë akuza jashtëzakonisht të rënda dhe të papranueshme, të cilat cenojnë rëndë integritetin, kredibilitetin dhe dinjitetin e institucionit tonë, të imamëve, teologëve dhe besimtarëve tanë”, thuhet në kërkesë.
“Andaj, me qëllim të njohjes së plotë të së vërtetës, eliminimit të çdo dyshimi dhe sqarimit të të gjitha rrethanave që lidhen me këtë çështje, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës kërkon nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të origjinës, autenticitetit dhe përmbajtjes së dokumentit të pretenduar si “Top Secret”, si dhe të mënyrës së sigurimit dhe publikimit të tij”.
The post Tërnava i drejtohet PSRK’së për dokumentin e Shehollit ku thuhet se “BIK është nën ndikim të BIA”: Të zbardhet e vërteta appeared first on Gazeta Express.

