U.D Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë në “Kanal 10”, se propozimi për Hashim Thaçin të jetë president e dëmton atë.
Ndaj saj ka reaguar deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, duke thënë kërkuar “të lëjnë Thaçin rehat”.
Çitaku tha se Thaçi nuk ka nevojë për poste, por për liri. /Gazeta Express
Postimi i plotë:
Po jetojmë në një kohë të parëndomtë. Jashtë Kushtetutës. Jashtë çdo rendi që kjo Republikë e ka paraparë për veten.
Është e dhimbshme ta shohësh Kosovën të zhytur në këtë kazan dështimi nga ata që e kanë qeverisur tash e shtatë vjet.
Por ju lutem, lëreni Hashim Thaçin rehat.
Mos e përzieni emrin e tij në këtë mjerim të politikës së ditës. Mos ia lidhni emrin me poste, pazare e kombinime politike.
Hashim Thaçi ka bërë shumë më tepër se çfarëdo posti që mund t’i ofrojë politika.
Ai ka qenë President. Ka qenë Kryeministër. Por para të gjithave, ka luftuar për lirinë e Kosovës. Ka qenë pjesë e rrugëtimit që e solli Kosovën deri te dita më e madhe e saj. Dhe më 17 shkurt 2008, si Kryeministër i Kosovës, e shpalli Deklaratën e Pavarësisë.
Çfarë posti mund të jetë më i madh se kaq?
Hashim Thaçi nuk ka nevojë për poste.
Ka nevojë për liri.
Ka nevojë të kthehet në shtëpi. Te familja. Te njerëzit e tij. Në Kosovën për lirinë e së cilës luftoi dhe pavarësinë e së cilës e shpalli.
Dhe kjo nuk është vetëm çështje e tij. As vetëm e familjes së tij. As vetëm e historisë.
Është edhe çështje e së ardhmes sonë.
Sepse sot ai dhe shokët e tij kanë një betejë shumë më të madhe përpara. Një betejë për të vërtetën, për luftën tonë dhe për mënyrën se si ajo luftë do të shkruhet në histori.
Prandaj, mos ia përdorni emrin për hesapet e ditës.
Ne nuk po presim Hashim Thaçin të kthehet në një post.
Ne po presim Hashim Thaçin të kthehet i lirë.
Ju presim të lirë, President.
Bashkë me shokët.
Kosova ju pret.
The post Çitaku reagon pasi Haxhiu foli për Hashim Thaçin: Lëreni rehat, s’ka nevojë për poste, po presim të kthehet i lirë appeared first on Gazeta Express.

