Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar përdorimin e armëve bërthamore kundër Iranit, ndërsa reagoi ashpër ndaj një gazetareje që e pyeti për këtë mundësi gjatë një takimi në Zyrën Ovale.
“E keni përjashtuar përdorimin e një arme bërthamore kundër Iranit?”, ishte pyetja drejtuar presidentit amerikan.
Trump u përgjigj se nuk kishte arsye për një veprim të tillë dhe e cilësoi pyetjen si “idiote”.
“Përgjigjja është po. Nuk ka asnjë arsye për këtë. Çfarë pyetjeje idiote. Ata janë mposhtur plotësisht ushtarakisht. Pra, tani që i kam mposhtur, duhet të përdor edhe një armë bërthamore kundër tyre? Çfarë pyetjeje idiote”, deklaroi Trump.
Deklarata e presidentit amerikan erdhi në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit. Trump deklaroi gjithashtu se Irani është “mposhtur ushtarakisht”, ndërsa foli për situatën dhe operacionet amerikane në rajon.
Trump kishte përjashtuar edhe më herët përdorimin e armëve bërthamore kundër Iranit. Në prill, i pyetur për të njëjtën çështje, presidenti amerikan deklaroi se SHBA-ja nuk kishte nevojë të përdorte armë bërthamore dhe se ato “nuk duhet të lejohen të përdoren nga askush”.
The post “Çfarë pyetjeje idiote” – Trump përjashton përdorimin e armëve bërthamore ndaj Iranit appeared first on Gazeta Express.

