NASA ka lëshuar me sukses në hapësirë teleskopin e saj të gjeneratës së re, Nancy Grace Roman, i cili do të përdoret për të studiuar disa prej mistereve më të mëdha të Universit, përfshirë energjinë e errët, materien e errët dhe vrimat e zeza.
Teleskopi u nis të dielën në mëngjes nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, me një raketë të kompanisë SpaceX.
Rreth 30 minuta pas nisjes, teleskopi u shkëput nga raketa dhe tashmë po udhëton drejt pikës ku do të vendoset në orbitë, rreth 1.6 milionë kilometra larg Tokës.
Udhëtimi drejt kësaj pike pritet të zgjasë rreth 100 ditë. Pas mbërritjes, teleskopi do të nisë vëzhgimet e hapësirës dhe kërkimin e planetëve jashtë Sistemit Diellor, të njohur si ekzoplanete.
NASA thotë se Roman do të ketë një fushëpamje të paktën 100 herë më të madhe se teleskopi hapësinor Hubble, duke i mundësuar të fotografojë zona shumë më të gjera të Universit.
“Teleskopi Roman do të ndryshojë mënyrën se si e shohim Universin”, tha Nicky Fox, administratore e NASA-s, raporton BBC.
Sipas saj, teleskopi mund të zbulojë dhjetëra mijëra, madje deri në 100 mijë ekzoplanete të reja.
Teleskopi mban emrin e astronomes dhe fizikantes amerikane Nancy Grace Roman, e cila ishte astronomja e parë kryesore e NASA-s dhe gruaja e parë që mbajti një post ekzekutiv në agjenci.
Roman luajti një rol të rëndësishëm në miratimin e teleskopit Hubble nga Kongresi amerikan. Ajo e konsideronte energjinë e errët si një prej zbulimeve më interesante të Hubble-it.
Misioni i ri pritet të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë energjinë e errët dhe materien e errët, të hartojnë miliarda galaktika, të studiojnë vrimat e zeza dhe të zbulojnë e karakterizojnë ekzoplanete.
Materia e errët dhe energjia e errët përbëjnë rreth 95% të Universit, megjithëse natyra e tyre ende nuk është kuptuar plotësisht. Materia e errët nuk mund të shihet drejtpërdrejt dhe besohet se vepron si një lloj “ngjitësi” gravitacional që mban së bashku strukturat kozmike, ndërsa energjia e errët besohet se lidhet me zgjerimin e përshpejtuar të Universit.
Misioni kryesor i teleskopit Roman është planifikuar të zgjasë pesë vjet, ndërsa NASA synon që ai të mund të funksionojë deri në 10 vjet.

