Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë se obligimet që lidhen me kontratat kolektive i kanë shkaktuar komunës dëme të mëdha financiare, të cilat deri më tani, sipas tij, janë afër 10 milionë euro.
Muharremaj në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se dëmet po vazhdojnë edhe gjatë këtij viti dhe se për shkak të mjeteve që po merren nga buxheti komunal, shumë projekte kanë mbetur pa u përfunduar.
“Shiko, domethënë deri tash diku afërsisht, afër 10 milionë euro. Domethënë kjo është, po vazhdon edhe këtë vit. Me të vërtetë kemi dëme shumë të mëdha, pasi që shumë projekte kanë mbetur të parealizuara. Kjo është një barrë e qeverisë, nuk është barrë e pushtetit lokal, pasi që qeveria e ka nënshkruar këtë marrëveshje në atë kohë me sindikatat. Sido që të jetë, ne kemi probleme të mëdha nëpër komuna, po flas tash personalisht për Suharekën edhe njëra prej tyre që po na mbesin shumë projekte pa përfunduar. Rrjedhimisht, planifikimi i buxhetit, buxheti kalon në shtator, në fund të shtatorit, planifikohen projektet, por kur po fillojmë vitin, siç e kemi filluar këtë vit, atëherë kemi shumë mangësi në projekte”, ka deklaruar Muharremaj.
Sipas tij, vështirësia për komunën nuk qëndron vetëm te krijimi i një obligimi prej 10 milionë eurosh, por te fakti se këto mjete duhet të merren nga buxheti komunal dhe prekin kategori të ndryshme të shpenzimeve.
“Po me të thënë të drejtën, paramendo me t’i pru 10 milionë euro është problem, e lëre më me t’i marrë problem. Shumë problem i madh sipas saj. Ka marrë edhe investime kapitale, ka marrë mallra dhe shërbime, ka marrë subvencione, domethënë të gjitha kategoritë i ka marrë. Për shembull, rast konkret kemi problem te shëndetësia, pasi që ka marrë shërbimet që kemi punëtorë të punësuar aty, kështu që kemi investime kapitale që kemi pasur me vazhduar projekte s’po mundemi me i vazhduar. Por, sido që të jetë, ne do të mundohemi me këto forcat tona mos me u ndalur e me punuar deri në fund”, ka thënë kryetari i Suharekës për Ekonomia Online.
Muharremaj ka kërkuar që çështja e pagesave që dalin nga kontratat kolektive të zgjidhet në atë mënyrë që obligimet t’i marrë përsipër institucioni që i ka nënshkruar marrëveshjet me sindikatat.
“Për këtë problem kishte me qenë e mirë zgjidhja: ai që e ka nënshkruar kontratën, ai me e zbatuar kontratën edhe me i kryer obligimet ndaj punëtorëve të arsimit ose të gjitha kategorive të tjera që i ka, por jo me t’i marrë paratë nga buxheti i komunës”, ka deklaruar Muharremaj.

