Koalicioni VLEN i është përgjigjur reagimit të Bashkimit Demokratik për Integrim lidhur me projektet infrastrukturore, duke e akuzuar partinë opozitare se gjatë dy dekadave në pushtet ka bërë më shumë premtime sesa punë konkrete.
Nga VLEN-i thonë se BDI-ja vazhdon të mburret me “sigurimin” e mjeteve financiare dhe përgatitjen e projekteve, por, sipas tyre, qytetarëve u ofron të njëjtën histori që e kanë dëgjuar për 20 vjet.
“Për dy dekada, BDI-ja premtoi projekte, paralajmëroi autostrada, projektoi rrugë dhe fliste për investime. Por, në fund, qytetarëve u mbetën premtimet, ndërsa elitës partiake privilegjet”, thuhet në reagimin e VLEN-it. Koalicioni qeverisës pretendon se dallimi ndërmjet tij dhe BDI-së tashmë është i dukshëm, pasi, siç thekson, projektet që për vite ishin paraqitur në harta dhe konferenca për shtyp, sot janë shndërruar në kantiere ndërtimi.
VLEN-i përmend ndërtimin e autostradës drejt Gostivarit, avancimin e lidhjes autostradale drejt Kërçovës, nisjen e punimeve për lidhjen rrugore drejt Kosovës dhe realizimin e Korridorit 8.“Derisa BDI-ja fotografohet, VLEN punon në terren”, deklarojnë nga koalicioni. Në reagim shtrohet pyetja se përse projektet nuk u realizuan gjatë periudhës së gjatë kur BDI-ja ishte pjesë e pushtetit, nëse mjetet financiare dhe dokumentacioni, siç pretendon kjo parti, ishin siguruar.
“Nëse gjithçka ishte siguruar, pse për 20 vjet nuk u ndërtuan këto projekte? Ku ishin ato para? Pse pjesa perëndimore e vendit mbeti për dy dekada me rrugë të ngushta, pika të rrezikshme, trase të papërfunduara dhe infrastrukturë që nuk i plotësonte nevojat e qytetarëve?”, pyesin nga VLEN-i.
Sipas tyre, gjatë kohës kur BDI-ja ishte pjesë e qeverive të ndryshme, projektet e mëdha infrastrukturore shpesh mbetën në nivelin e prezantimeve, paralajmërimeve dhe premtimeve për tenderë, ndërsa qytetarët e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës dhe komunave të tjera prisnin investimet e paralajmëruara.VLEN-i pohon se aktualisht, krahas projekteve autostradale, po ndërtohen bulevarde në Tetovë, po investohet në kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup dhe po zhvillohen projekte infrastrukturore në Strugë.
Gjithashtu, sipas koalicionit, po ndërtohen rrugë, kanalizime dhe ujësjellës në komunat ku jetojnë shqiptarët. “Ekskavatorët janë në terren, ndërsa BDI-ja është në konferenca për shtyp. Ky është dallimi”, thuhet në komunikatë.
Nga VLEN-i e akuzojnë BDI-në se po përpiqet të marrë meritat edhe për projektet që po realizohen aktualisht, duke nënvizuar se sigurimi i mjeteve dhe përgatitja e dokumentacionit nuk kanë vlerë nëse nuk pasohen nga realizimi konkret.
“Paratë në letër nuk janë autostradë. Projekti në sirtar nuk është bulevard. Premtimi në konferencë për shtyp nuk është infrastrukturë. Qytetarët nuk udhëtojnë mbi deklaratat e partive, por mbi rrugët që ndërtohen”, theksojnë nga VLEN-i.
Koalicioni qeverisës vlerëson se qytetarët tani mund të krahasojnë atë që u është premtuar gjatë viteve me projektet që, sipas tij, po realizohen sot. “BDI-ja la pas dosje dhe premtime. VLEN po lë pas rrugë, ura dhe projekte të realizuara”, përfundon reagimi.

