By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Marrëveshje 18 miliardë dollarëshe dhe Zuckerbergut s’i dridhet syri: Titanëve të teknologjisë duhet t’u hiqet pushteti
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Marrëveshje 18 miliardë dollarëshe dhe Zuckerbergut s’i dridhet syri: Titanëve të teknologjisë duhet t’u hiqet pushteti
TOP Momenti

Marrëveshje 18 miliardë dollarëshe dhe Zuckerbergut s’i dridhet syri: Titanëve të teknologjisë duhet t’u hiqet pushteti

Momenti
Published: August 30, 2026

Dhanë goditje ata që thanë se Meta u shkakton dëm fëmijëve, por pothuajse fare nuk është zvogëluar aftësia e kompanive të mëdha të teknologjisë për të nxjerrë fitime të majme dhe për të shkaktuar dëme. Kjo është beteja që vjen.

Burimi: The Guardian (titulli: An $18bn settlement – and Zuckerberg barely blinked. The tech titans must be stripped of their power, and soon)
Përkthimi: Telegrafi.com

Your browser does not support the video tag.

Ndiqni paratë. Nëse doni të dini se çfarë mendon në të vërtetë gjiganti i teknologjisë Meta për 18 miliardë dollarët që pranoi të paguante për t’i dhënë fund një padie historike kundër saj – një rezultat i përshëndetur gjerësisht si fitore për aktivistët – mjafton të shikoni çmimin e aksioneve të saj. Ai nuk ra kur të mërkurën erdhi lajmi se Meta kishte arritur marrëveshje me 29 shtetet amerikane të cilat kishin argumentuar se platformat Facebook dhe Instagram të kompanisë u shkaktonin dëm fëmijëve. Përkundrazi, aksionet e Meta-s u rritën, fillimisht duke kërcyer me pesë përqind, përpara se të stabilizoheshin në një rritje prej pak më shumë se 1.25 përqind. Nuk mund të kishte dëshmi më të qartë se njerëzit e financave gjykojnë se Meta i shpëtoi plumbit.

Sigurisht, kishte shumëçka për t’u dhënë zemër atyre që prej kohësh kanë besuar se mediat sociale dëmtojnë veçanërisht adoleshentët – qoftë duke i ekspozuar ndaj përmbajtjeve që nuk duhet t’i shohin, qoftë duke ua dobësuar vetëvlerësimin, duke u ofruar filtra që tregojnë se sa më të bukur do të dukeshin po të bënin ndërhyrje estetike, ose duke u dhënë një matës të popullaritetit – dhe jopopullaritetit – të tyre në formën e një numërimi të vazhdueshëm të “pëlqimeve” dhe shikimeve.

Së pari, 18 miliardë dollarë janë shumë para. Së dyti, Meta ka rënë dakord për një sërë ndryshimesh në mënyrën se si të rinjtë i përdorin platformat e saj. Do të ketë një kufi ditor përdorimi prej dy orësh; qasje të kufizuar gjatë natës dhe gjatë ditës së shkollës; pëlqimet nuk do të shfaqen automatikisht dhe masa të ndryshme sigurie dhe mbikëqyrjeje prindërore nuk do të jenë më shtesa të cilat duhen zgjedhur nga përdoruesi, por një standard i paracaktuar. Mund ta kuptoni pse Lori Schott nga Kolorado, e cila beson se përmbajtja që vajza e saj hasi në Instagram luajti rol në vetëvrasjen e saj në moshën 18-vjeçare, e shpalli të mërkurën “një ditë të mirë”.

Por, shikoni më nga afër dhe do të shihni se, për Meta-n, 18 miliardë dollarë nuk janë tamam një shumë që gërryen bankën. Ajo përbën më pak se të ardhurat e një muaji. Dhe, ka 10 vjet për ta paguar: pagesat mujore mund të dalin nga paratë e imëta. Për më tepër, gati një e treta e kësaj shume varet nga rivalët e Meta-s, YouTube dhe TikTok, që të bien dakord për të njëjtat kufizime. Në tërësi, ndëshkimi financiar është më pak se një e dhjeta e 200 miliardë dollarëve që kërkonin 29 shtetet dhe një pjesë fare e vogël e 1.4 trilion dollarëve që kompania i tha gjykatës se druhej se do t’i duhej të paguante. Nuk është çudi që aksionarët e Meta-s po përplasnin grushtet të mërkurën.

Përtej parave, Meta do të jetë mirënjohëse që i ka shpëtuar një vendimi gjyqësor kundër saj – një verdikti ligjor mbi sjelljen e paraqitur në mënyrë aq bindëse në sallën e gjyqit në Kaliforni gjatë javës së parë të procesit, përpara se ai të ndërpritej papritur. Juria dëgjoi ish-inxhinierin e sigurisë së Meta-s, Arturo Béjar, i cili foli për përvojën e vajzës së tij adoleshente në Instagram – se si ajo pati propozime të padëshiruara seksuale, fyerje të rënda mizogjene dhe fotografi të organeve gjenitale mashkullore në platformë – si dhe për një anketë që ai kishte kryer, e cila zbuloi se 51 përqind e përdoruesve adoleshentë kishin pasur përvoja të këqija ose të dëmshme në Instagram gjatë shtatë ditëve të mëparshme dhe se përmbajtja hiqej vetëm në 0.02 përqind të rasteve. Béjari ia raportoi gjetjet e tij drejtpërdrejt Mark Zuckerbergut, por nuk mori asnjë përgjigje. Siç më tha Béjari kur biseduam të enjten: “Ata e dinin se po u shkaktohej dëm fëmijëve, por po i thoshin botës se nuk po ndodhte”. Me marrëveshjen e së mërkurës, Meta as s’e ka pranuar përgjegjësinë.

Sa u përket kufizimeve të reja, kushdo që ka parë një adoleshent në kompjuter ose telefon do të ketë pak besim se ata nuk do të gjejnë një mënyrë për t’i anashkaluar. Nëse e bëjnë këtë, atëherë, sipas marrëveshjes së kësaj jave, Meta nuk do të mbajë përgjegjësi. Dhe, ç’është thelbësore, thotë Béjari, është ende vetë Meta ajo që përcakton se çfarë përbën dëm.

Jo më pak zhgënjyese është se këto kushte të reja zbatohen vetëm brenda ShBA-së, edhe pse shtrirja e Meta-s dhe aftësia e saj për të shkaktuar dëm janë globale. Siç përshkroi në librin e saj magjepsës Careless People [Njerëz të pakujdesshëm], ish-punonjësja e Facebook-ut, Sarah Wynn-Williams – së cilës i është ndaluar të flasë – kompania ishte këmbëngulëse në kërkimin e përdoruesve të rinj në ato territore jashtë vendit me pak masa mbrojtëse ligjore. Këtu ka një paralele me industrinë e duhanit: shumë kohë pasi ShBA-ja dhe Evropa kishin marrë masa të ashpra ndaj cigareve, kompanitë e mëdha të duhanit po shisnin fuqishëm në vendet në zhvillim të cilat ende nuk kishin ngritur mbrojtjet e tyre.

Mbi të gjitha, marrëveshja e kësaj jave trajton vetëm sigurinë e fëmijëve, pavarësisht provave të shumta për rrezikun ndaj të rriturve – qoftë në formën e varësisë apo të ekspozimit ndaj dezinformimit toksik. Rreziku nuk qëndron në këtë apo atë veçori specifike, por në modelin themelor të biznesit të mediave sociale: konkretisht, gjurmimin dhe mbikëqyrjen e individëve në internet, përdorimin e të dhënave të mbledhura për të ndërtuar një profil i cili më pas u shitet reklamuesve të etur për të synuar konsumatorët potencialë me një saktësi të jashtëzakonshme.

Është ky model që i mban përdoruesit të mbërthyer, duke lëvizur nëpër përmbajtje orë pas ore, ndërsa u shërbehet përmbajtja e drejtuar pikërisht ndaj interesave dhe anktheve të tyre. Siç më tha Ravi Naik, avokati që përfaqëson Wynn-Williamsin dhe të tjerët: “Algoritmi të ka ty gjah”. Problemi me këtë marrëveshje të fundit, shpjegon ai, është se “ajo prek veçoritë e platformave të Meta-s, por jo motorin që i vë ato në lëvizje. Algoritmi i rekomandimeve mbetet i paprekur”.

Pra, çfarë mund të bëhet? Për Béjarin, përgjigjja është që mediave sociale t’u qasemi si një krize të shëndetit publik, të ngjashme me aksidentet e trafikut rrugor që çuan në vendosjen e detyrueshme të rripave të sigurisë në makina (dhe jo vetëm për fëmijët). Qeveritë duhet të thonë se çdo kompani e përfshirë në këtë krizë duhet të përfshihet edhe në trajtimin e saj. Dhe, askush nuk duhet ta besojë pretendimin se natyra e internetit është e tillë që ai nuk mund t’i nënshtrohet një rregullimi kuptimplotë. Kur industria e muzikës kundërshtoi shkeljet e të drejtave të autorit në internet, u krijuan me shpejtësi stimuj për ta zgjidhur problemin. Siç e shpreh Béjari në mënyrë aq gjykuese: “Një këngë ka më shumë mbrojtje se një fëmijë”.

Ka plot precedentë të tjerë që mund të shërbejnë si udhërrëfyes për veprim, megjithëse asnjëri prej tyre nuk do t’u pëlqejë titanëve të teknologjisë së madhe. Për dekada, ata kanë shmangur të shihen si botues, përgjegjës për atë që shfaqet në platformat e tyre. As nuk duan të trajtohen si prodhuesit e makinave, përgjegjës për sigurinë e produktit. Dhe, nuk u pëlqen të krahasohen me kompanitë e cigareve që shesin një produkt për të cilin e dinë se është i rrezikshëm. Ndoshta politikëbërësit duhet të bëjnë një krahasim të ri.

Më shumë se një shekull më parë, kur monopoli de facto i Standard Oil-it u gjykua i dëmshëm për konsumatorët, ai u nda, me urdhër të Gjykatës së Lartë të ShBA-së, në 34 kompani më të vogla. Meta vepron si një monopol, me përdoruesit që ndiejnë se nuk mund të largohen, sepse të gjithë miqtë dhe kontaktet e tyre janë në të njëjtat pak platforma. “Meta e shfrytëzon me vetëdije këtë dhe refuzon të bëjë ndryshime në platformat e saj për të cilat e di se do të ofronin përvoja më të sigurta për përdoruesit”, më tha Damian Collins, ish-kryetar i komisionit parlamentar të Mbretërisë së Bashkuar që mbikëqyr sferën digjitale. Nëse përdoruesit do të mund t’i transferonin të dhënat dhe kontaktet e tyre në shërbime të reja, duke u dhënë atyre më shumë mundësi, “ndarja do të funksiononte”.

Marrëveshja e kësaj jave ka qenë zhgënjyese për ata që dëshirojnë me ngulm t’i shohin më në fund të gjunjëzuar gjigantët e teknologjisë, të shpallur fajtorë nga gjykatat dhe të detyruar të paguajnë për këtë me kosto tepër të larta për t’u shpërfillur. Tani për tani, Meta i është shmangur ditës së gjykimit. Por, ajo ditë me siguri duhet të vijë. /Telegrafi/

You Might Also Like

Profesori i sigurisë ngre alarmin për spiunazhin: Kosova nuk duhet të jetë strehë për agjentët e huaj
AKPPM ndalon shitjen në Kosovë të 48 barnave nga prodhuesi indian, urdhëron karantinimin e stokut
ZNAM: Dënojmë çdo glorifikim të krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës
Humb jetën 42 vjeçari në Idrizovë, kapi telin elektrik nën tension
VLEN: BDI gjatë dy dekadave në pushtet ka bërë më shumë premtime sesa punë konkrete

LEXO GJITHASHTU

Zjarret vijojnë në disa qarqe në Shqipëri, angazhohen mbi 220 forca, situata më problematike në Dibër
Zjarret vijojnë në disa qarqe në Shqipëri, angazhohen mbi 220 forca, situata më problematike në Dibër
Lajme
Shtatë të vdekur dhe 23 të zhdukur pasi një anije u përmbys në brigjet e Qipros Veriore
Shtatë të vdekur dhe 23 të zhdukur pasi një anije u përmbys në brigjet e Qipros Veriore
Lajme
Islanda voton kundër rifillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE
Islanda voton kundër rifillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE
Lajme
Trump njoftoi marrëveshjen e naftës me Venezuelën, Presidentja e përkohshme Rodriguez: Do të jetë në fuqi për 25 vjet
Trump njoftoi marrëveshjen e naftës me Venezuelën, Presidentja e përkohshme Rodriguez: Do të jetë në fuqi për 25 vjet
Lajme
Zjarret në Shqipëri, angazhohen mbi 220 forca, situata më problematike në Dibër
Zjarret në Shqipëri, angazhohen mbi 220 forca, situata më problematike në Dibër
Lajme

You Might Also Like

Rrezikoi pushuesit në Ksamil pasi shkeli perimetrin e sigurisë me Jet Ski, gjobitet 500 mijë lekë drejtuesi
TOP Momenti

Rrezikoi pushuesit në Ksamil pasi shkeli perimetrin e sigurisë me Jet Ski, gjobitet 500 mijë lekë drejtuesi

August 30, 2026
Këto janë ushqimet që treten lehtë nga organizmi dhe janë të shëndetshme
TOP Momenti

Këto janë ushqimet që treten lehtë nga organizmi dhe janë të shëndetshme

August 30, 2026
Muharremaj: Kontratat kolektive i kanë shkaktuar Suharekës afro 10 milionë euro dëme, shumë projekte kanë mbetur të parealizuara
TOP Momenti

Muharremaj: Kontratat kolektive i kanë shkaktuar Suharekës afro 10 milionë euro dëme, shumë projekte kanë mbetur të parealizuara

August 30, 2026
Rama: Prishtina është gati për Lojërat Mesdhetare, por ka mungesë bashkëpunimi nga niveli qendror
TOP Momenti

Rama: Prishtina është gati për Lojërat Mesdhetare, por ka mungesë bashkëpunimi nga niveli qendror

August 30, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?