Tragjedi në Prizren. Një grua 80-vjeçare, me inicialet L.D., është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në orët e para të mëngjesit të 26 gushtit, rreth orës 01:30.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë konstatuar vdekjen e saj. Policia e Kosovës ka arrestuar bashkëshortin e viktimës, rreth 81-vjeçar, me inicialet B.D., nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Sipas Policisë, pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes nga hetuesit, forenzika dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, ka lindur dyshimi se lëndimet e evidentuara në trupin e viktimës janë shkaktuar nga forca duarthatë, pa përdorim të ndonjë arme apo mjeti tjetër.
Toger Shaqir Bytyqi ka konfirmuar se trupi i pajetë është dërguar në IML Prishtinë për ekzaminim mjekoligjor. I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë. Vlen të theksohet se, sipas evidencave të policisë, çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të raportuara dhe në momentin e incidentit kanë qenë vetëm në shtëpinë e tyre. Hetimet janë në vazhdim për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të rastit.

