Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e shënimit të ditëlindjes së 116-të të Nënës Terezë, Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, në Shkup.
Në fjalën e tij kryeministri theksoi se “jemi mbledhur në Shkup për të kujtuar një prej figurave më të njohura shqiptare të shekullit XX”.
“Ajo lindi në Shkup. Rrënjët e saj familjare e lidhnin me Prizrenin dhe Gjakovën. Në Letnicë e ndjeu thirrjen. Në Irlandë nisi përgatitjen për rrugën e saj misionare. Në Indi e shndërroi atë thirrje në një jetë të tërë shërbimi”, tha Kurti.
Ai pasi tha se ajo nuk i shërbeu vetëm një kombi, një feje apo një vendi, theksoi se universaliteti i Nënë Terezës nuk ishte mohim i prejardhjes, por zgjerim i saj.
“Në vitin 1979, ajo u laureua me Çmimin Nobel për Paqe. Dhe kur e pranoi këtë çmim, ajo foli për paqen jo si një nocion i largët, por si diçka që fillon te njeriu, te kujdesi për tjetrin dhe te dinjiteti i gjithsecilit. Por ajo që e bëri Nënën Terezë universale nuk ishte vetëm Çmimi Nobel dhe as vetëm njohja ndërkombëtare. Ajo u bë universale duke iu afruar njeriut konkret. Bota shihte miliona; ajo shihte një njeri. Bota fliste për varfërinë; ajo i afrohej të varfrit. Dhe në këtë afërsi me njeriun, ajo ndërtoi një vepër që kapërceu kufijtë e racës, fesë, kombësisë dhe të vendit”, shtoi ai.

