By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
MomentiMomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Reading: Nga arrestimet te gërmimet për varreza të dyshuara masive në Zubin Potok: Çfarë dihet deri më tani?
Share
MomentiMomenti
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Search
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Have an existing account? Sign In
Follow US
Nga arrestimet te gërmimet për varreza të dyshuara masive në Zubin Potok: Çfarë dihet deri më tani?
Lajme

Nga arrestimet te gërmimet për varreza të dyshuara masive në Zubin Potok: Çfarë dihet deri më tani?

Momenti
Published: August 3, 2026

Një hetim rreth dyvjeçar i autoriteteve të Kosovës çoi fillimisht në arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte, dhe më pas në gërmime në një lokacion në Zubin Potok, ku dyshohej se ndodhej një varrezë masive. Brenda pak ditësh, u zbuluan mbetje mortore me origjinë njerëzore, u arrestua edhe një i dyshuar tjetër për krime lufte, u identifikua një lokacion i dytë ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore, ndërsa në Serbi u arrestua një shtetas i Kosovës nën dyshimin për spiunazh.

Në Kalludër të Vogël, fshat malor i komunës veriore të Zubin Potokut, në Kosovë, më 28 korrik nisën gërmime nën dyshimet për një varrezë masive.

Your browser does not support the video tag.

Këto gërmime, sipas autoriteteve, filluan pas një hetimi rreth dyvjeçar të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Disa ditë para nisjes së gërmimeve, u arrestuan dy persona të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Rasti i tyre, sipas Prokurorisë, lidhet me këto gërmime.

Ndonëse nuk janë bërë publike detaje të sakta se për çfarë dyshohen këta dy të arrestuar, për njërin prej tyre Policia tha se ka gjetur prova se ai kishte qenë “i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish-armatën jugosllave”.

Dy të dyshuarit, M.J. dhe M.B., momentalisht gjenden në paraburgim.

Një hetues pranë vendit ku dyshohet për varrezë masive, në Kalludër të Zubin Potokut, më 1 gusht.
Një hetues pranë vendit ku dyshohet për varrezë masive, në Kalludër të Zubin Potokut, më 1 gusht.

Më 2 gusht, Policia e Kosovës arrestoi edhe një person tjetër në lidhje me të njëjtin rast.

Prokuroria Speciale tha se arrestimi i J.R. është rezultat i veprimeve të mëtejshme hetimore, por nuk dha hollësi për rolin e tij të dyshuar.

Avokati i të pandehurit M.B., Dejan Vasiq, tha për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij dyshohet se ka qenë në mesin e personave që kanë varrosur viktimat e ngjarjeve të përmendura, në kërkesën për caktimin e paraburgimit.

“Ai është i bindur se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje, pasi nuk ka qenë fare në vendin që përmend prokurori”, tha Vasiq.

Millosh Deleviq, avokat i të pandehurit tjetër M.J., nuk deshi të tregonte hollësi se për çfarë dyshohet konkretisht klienti i tij, duke thënë vetëm se vepra penale është cilësuar si krim lufte kundër popullsisë civile.

Ditë më parë, avokati Deleviq u tha mediave serbe jashtë gjykatës se klienti i tij, M. R është i dyshuar në bazë të parimit të përgjegjësisë komanduese.

Çfarë dihet për varrezën masive në Kalludër të Vogël?

Teksa gërmimet vazhdonin, autoritetet konfirmuan se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël janë me origjinë njerëzore.

Por, që nga fillimi i gërmimeve, u ngritën dyshime se mbetjet mortore në këtë lokacion – që është ende duke u gërmuar – mund t’i takojnë një grupi të caktuar të shqiptarëve të zhdukur me forcë nga lufta e fundit.

Ky grup civil, i njohur si “grupi i intelektualëve”, është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 29 korrik u tha mediave se ekziston dyshimi fillestar se mbetjet mund t’u përkasin këtij grupi.

“Ne nuk mund të konfirmojmë se bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm. Sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje”, tha Kurti.

Procesi i identifikimit tashmë është në duart e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa autoritetet kanë theksuar se vetëm analizat forenzike dhe të ADN-së do të përcaktojnë identitetin e viktimave.

Prokuroria Speciale u bëri thirrje mediave, qytetarëve dhe zyrtarëve të mos spekulojnë për identitetin e mbetjeve.

“…Ende gjithçka është herët, dhe deklarimet në publik mund ta dëmtojnë procesin e hetimit, e natyrisht mund edhe ta devijojnë rezultatin final”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Gërmime të reja në Zubin Potok?

Më 2 gusht, Prokuroria dhe Policia njoftuan se është identifikuar edhe një lokacion tjetër në fshatin Jabukë të Zubin Potokut, ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore.

Institucionet thanë se do t’i kërkojnë Gjykatës Themelore në Prishtinë leje për të kryer gërmime edhe në këtë vend.

Një ditë para njoftimit për lokacionin e dytë, kryeministri në detyrë, Kurti, vizitoi vendin e gërmimeve në Kalludër të Vogël.

Ai tha se puna në terren mund të zgjasë “shumë javë, ndoshta edhe shumë muaj”, pasi mbetjet mortore janë gjetur të shpërndara përgjatë një përroi.

Ai përsëriti, gjithashtu, thirrjen që Serbia të hapë arkivat shtetërore dhe ushtarake, duke thënë se ato mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Edhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, reagoi pas njoftimit për lokacionin e dytë, duke e cilësuar atë “një rikujtim të rëndë të krimeve të kryera gjatë luftës”.

Arrestimi në Serbi

Derisa hetimet për varrezën e dyshuar masive po vazhdonin në Zubin Potok, autoritetet serbe arrestuan një shtetas të Kosovës nën dyshimin për “spiunazh”.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, R.T., nga Istogu, u arrestua më 30 korrik në Kralevë, ndërsa Gjykata e Lartë në atë qytet i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Autoritetet serbe nuk dhanë hollësi për veprimet që i atribuohen atij, përveç se dyshohet për veprën penale të spiunazhit.

Në Kosovë, megjithatë, disa burime thanë për Radion Evropa e Lirë se arrestimi lidhet me dyshimet se ai kishte dhënë informacione që çuan te lokacioni ku po zhvillohen gërmimet për mbetje mortore në Zubin Potok.

Ministri në detyrë i Punës, Familjes, Mbrojtjes Sociale dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare i Kosovës, Andin Hoti, e ka vlerësuar arrestimin e personit, për të cilin pretendon se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze të dyshuar masive të dyshuar në Kosovë si “tentim-vrasje ndaj së vërtetës”.

“Ky nuk është shtet që kërkon drejtësi. Ky është një aparat shtetëror që vazhdon të mbrojë kriminelët, të frikësojë dëshmitarët dhe të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo arrestim i tillë dërgon një mesazh të qartë: kush flet për varrezat masive, ndëshkohet”, shkroi Hoti në Facebook.

Hoti nuk ka bërë të ditur se në bazë të cilave informacione pretendon se personi është arrestuar për shkak të ndihmës së supozuar në zbulimin e varrezës masive, ndërsa ai nuk ka qenë i qasshëm për një koment shtesë.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.579 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-99. /REL

The post Nga arrestimet te gërmimet për varreza të dyshuara masive në Zubin Potok: Çfarë dihet deri më tani? appeared first on Gazeta Express.

You Might Also Like

Sherri për një vajzë, vritet 24-vjeçari shqiptar në Itali, plagoset vëllai i tij
Vinçi me parregullsi, Inspektorati Qendror i Punës ndalon punimet në një objekt ndërtimi në Ferizaj
Driton Selmanaj i nënshtrohet një operimi në boshtin kurrizor, thotë se ndërhyrja ishte e suksesshme
Hamza refuzon takimin me Kurtin: Në rrethanat aktuale, qëndrimi ynë është që të mbetemi në opozitë
Gjini – Kurtit në letër: Ofruam ndihmë për themelimin e institucioneve, s’morëm asnjë përgjigje për gjashtë kërkesat tona

Quick Link

  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise

Top Categories

  • My Bookmarks
  • Customize Interests

You Might Also Like

CNN: S’është është hera e parë që Trump i anulon sulmet ndaj Iranit
Lajme

CNN: S’është është hera e parë që Trump i anulon sulmet ndaj Iranit

August 3, 2026
Zvicër: Sistemi i natyralizimit të digjitalizuar është pjesërisht në fuqi
Lajme

Zvicër: Sistemi i natyralizimit të digjitalizuar është pjesërisht në fuqi

August 3, 2026
Irani var dy persona që pretendon se spiunonin për Izraelin, ndërsa vala e ekzekutimeve vazhdon
Lajme

Irani var dy persona që pretendon se spiunonin për Izraelin, ndërsa vala e ekzekutimeve vazhdon

August 3, 2026
Gjini i thotë Kurtit se ska “fare arsye” që të takohen, letra e plotë që ia ktheu liderit të VV’së
Lajme

Gjini i thotë Kurtit se ska “fare arsye” që të takohen, letra e plotë që ia ktheu liderit të VV’së

August 3, 2026

About US

Momenti - Sepse koha ka rëndësi
Kategorite
  • BALLINA
  • Zgjedhje
  • Lajme
  • Bota
  • Magazina
Top Categories
  • Contact
  • Blog
  • Complaint
  • Advertise
©Momenti 2026. All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?