Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka bërë të ditur se kompania ajrore Turkish Airlines ka korrigjuar emërtimin e destinacionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në versionin gjerman, duke e ndryshuar nga “Priština” në “Prishtina”.
Ai këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku tha se ky ndryshim dëshmon se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive mund të sjellin rezultate konkrete në korrigjimin e pasaktësive lidhur me emërtimin e Republikës së Kosovës dhe qyteteve të saj.
“Falë reagimit të qytetarëve tanë dhe angazhimit të vazhdueshëm diplomatik, kompania ajrore Turkish Airlines ka korrigjuar emërtimin e destinacionit të Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ në versionin gjerman, duke e ndryshuar nga ‘Priština’ në ‘Prishtina’. Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete. Nëse hasni ndonjë institucion apo kompani gjermane ku Republika e Kosovës apo qytetet tona nuk paraqitet në mënyrë korrekte, ju lutemi të na shkruani në embassy.germany@rks-gov.net, duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse, në mënyrë që këto pasaktësi të adresohen dhe korrigjohen. Vazhdojmë së bashku drejt sukseseve të radhës”, ka shkruar Ajeti. /Telegrafi/
