Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjermaninë, ku një vajzë vetëm njëvjeçare humbi jetën pasi qëndroi për disa orë e mbyllur në një automjet të parkuar në qytetin Schorndorf, në landin Baden-Württemberg.
Sipas mediave gjermane dhe informacioneve paraprake nga hetimet, fëmija dyshohet se ishte harruar në automjet nga nëna e saj 44-vjeçare.
Policia bëri të ditur se të mërkurën, rreth orës 14:50, pranoi një njoftim për një fëmijë pa shenja jete në një makinë të parkuar në rrugën “Richard-Kapphan”. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur ekipet emergjente, të cilat nisën përpjekjet për reanimim.
Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, vajza nuk arriti të mbijetojë dhe u shpall e vdekur.
Sipas të dhënave të deritanishme, nëna e kishte gjetur fëmijën vetëm në orët e pasdites, disa orë pasi e kishte lënë në automjet.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie, ndërsa pritet të përcaktohet saktësisht se sa kohë fëmija kishte qëndruar brenda automjetit.

