Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka deklaruar se sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese [25.03.2026], ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nuk ka kompetencë ta dekretojë Albin Kurtin, apo këndo tjetër për kryeministër.
Në emisionin Rubikon Hasani tha se ky interpretim buron drejtpërdrejt nga aktgjykimi i Kushtetueses dhe nuk është qëndrim personal i tij.
“Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Albulena Haxhiu nuk mund ta dekretojë Albin Kurtin për kryeministër. Këtë nuk po e them unë, e ka thënë gjykata. Politika mundet me vendosë ndryshe, siç ka vendosur në disa raste”, deklaroi ai.
Sipas Hasanit, kompetenca për dekretimin e mandatarit për formimin e qeverisë i takon presidentit të vendit, andaj fillimisht duhet të zgjidhet presidenti e më pas të procedohet me formimin e qeverisë.
“Presidenti duhet me fillu, se e ka kompetencë me dekretu mandatarin e ri për kryeministër. Sipas këtij aktgjykimi nuk mundet ushtruesi i presidentit. Së pari konstituimi i Kuvendit, presidenti e pastaj qeveria. Përndryshe është shkelje kushtetuese”, theksoi Hasani.
Ai kujtoi se në të kaluarën ushtruesit e detyrës së presidentit kanë dekretuar mandatarë për kryeministër, duke përmendur edhe rastin e Vjosa Osmani, e cila kishte dekretuar Albin Kurti. Megjithatë, sipas tij, aktgjykimi i 25 marsit 2026 tashmë ka vendosur një standard të ri kushtetues.
“Thuhet se presidenti duhet ta dekretoj, pra duhet të zgjidhet për me pas dekret pastaj. Së pari konstituimi i kuvendit, presidenti e pastaj qeveria. Përndryshe është shkelje kushtetuese. Në qoftë se këtë shkelje nuk e çon kurrkush në gjykatë, ajo çështje mbyllet aty”, tha Hasani.

