Një problem teknik në avionin që do të dërgonte Papa Leonin XIV nga Tenerife drejt Romës detyroi Atin e Shenjtë të zbresë nga mjeti pak para nisjes.
Për shkak të defektit, Mbreti Felipe VI i Spanjës vendosi t’i vërë në dispozicion Papës avionin e tij privat për kthimin në Itali.
Incidenti ndodhi në aeroportin e Tenerife-s, në fund të vizitës së Papës në Spanjë. Pasi qëndroi më shumë se një orë në bord duke pritur zgjidhjen e problemit, Papa Leoni XIV u largua nga avioni i shoqëruar nga Mbreti Felipe, i cili e përcolli deri në sallën VIP të aeroportit.
Komandanti i fluturimit informoi pasagjerët se ishte konstatuar një problem në një nga sistemet e avionit. Sipas tij, ekipi teknik po punonte për të identifikuar dhe riparuar defektin. Më vonë u bë e ditur se pilotët kishin vërejtur se një nga motorët nuk po funksiononte sipas parametrave normalë gjatë procedurave të nisjes.
Avioni i përfshirë në incident ishte një Airbus A320 i kompanisë ajrore Iberia, me regjistrimin EC-MDK.
Specialistët e mirëmbajtjes sugjeruan që avioni të tërhiqej dhe të pozicionohej përballë erës për të provuar një ndezje të re të motorit, pasi problemi mund të ishte shkaktuar nga kushtet e erës, në momentin e nisjes.
Fluturimi IB1477 ishte planifikuar të nisej në orën 15:20 sipas orës lokale dhe të mbërrinte në aeroportin e Romës pas më shumë se katër orësh udhëtim. Megjithatë, kompania Iberia konfirmoi se defekti teknik nuk mund të riparohej menjëherë dhe se të gjithë pasagjerët u detyruan të zbresin nga avioni.
Në një deklaratë zyrtare, Vatikani bëri të ditur se Papa Leoni XIV do të kthehet në Romë me avionin e Mbretit të Spanjës, një gjest i cilësuar si shenjë miqësie dhe respekti nga ana e familjes mbretërore spanjolle. Avioni pritej të nisej rreth orës 18:00 sipas orës lokale dhe të mbërrinte në Romë rreth orës 23:00.

