Më 4 prill, Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesë vjeçar si presidente e vendit.
Që nga ajo ditë, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit.
Sipas Kushtetutës, vendi mund të jetë me ushtrues detyre të presidentit për një periudhë gjashtë mujore.
Në këtë formë, 4 tetori, i bie të jetë data e fundit, para së cilës duhet të përfundohet procesi i zgjedhjes së presidentit të ri.
“Zonja Haxhiu do të vijojë të mbetet ushtruese e detyrës së presidentes, por brenda kufizimit gjashtë mujor, pra jo më vonë se katër tetori, pavarësisht nëse ajo rizgjidhet apo jo. Pra, funksioni i ushtruesit të detyrës së presidentit, edhe nëse ne i ndërrojmë 20 kryetarë deri atëherë, duhet të përmbyllet më së voni deri më katër tetor. Sepse nga pesë tetori e tutje, vendi nuk ka më as ushtrues detyre të presidentit”, vlerëson Eugen Cakolli nga KDI.
Mirëpo, ky nuk është interpretimi i vetëm për për këtë çështje.
“Gjashtë mujori është një afat që ka të bëjë me situatat e rregullta kur kemi një Kuvend, një legjislaturë të konstituar, jo në situatat nëpër të cilat po kalon Kosova, ku ka një vakuum institucional, pra me organe jo plotësisht funksionale. Nëse zgjidhet legjislatura e re e Kuvendit, kryetari i ri i Kuvendit, bëhet me automatizëm ushtrues detyre i presidentit dhe ai do ta ketë mandatin maksimal gjashtë mujor para vetes” , thotë Dritan Kabashi njohës i Kushtetutës.
Aktualisht, funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentes e mban Albulena Haxhiu, e cila javën e kaluar u betua edhe si deputete e Kuvendit në legjislaturën e 11.

