Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ashpërsuar retorikën e tij kundër planeve për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke paralajmëruar dërgimin e një letre zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Sipas njohësit të çështjeve të sigurisë në Kosovë, Avni Islami, kjo lëvizje e presidentit serb tregon qartë përpjekjen e Beogradit për ta zhvendosur çështjen nga niveli lokal në arenën më të lartë ndërkombëtare dhe diplomatike.
Islami vlerëson se, duke iu drejtuar drejtpërdrejt kreut të NATO-s, Serbia synon ta zbehë autoritetin vendimmarrës të institucioneve të Kosovës dhe ta vendosë NATO-n, përkatësisht KFOR-in, përballë përgjegjësisë së drejtpërdrejtë për ruajtjen e status quo-së.
Ai thekson se paralajmërimi për dërgimin e një letre zyrtare përbën një përshkallëzim të ri politik, i cili mund të ketë pasoja edhe në aspektin e sigurisë.
Sipas Islamit, përmes kësaj retorike, Vuçiçi synon të arrijë tri objektiva kryesore: të ushtrojë presion mbi KFOR-in dhe të sigurojë përfshirjen e drejtpërdrejtë të trupave të NATO-s në bllokimin e vendimeve sovrane të institucioneve të Kosovës.
Po ashtu, ai tenton të ndërtojë një narrativë sipas së cilës hapja e urës paraqitet si kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e komunitetit serb, duke përdorur frikën si instrument presioni.
Një tjetër qëllim, sipas Islamit, është forcimi i propagandës së brendshme, përmes së cilës Beogradi përpiqet të paraqitet si garantuesi i vetëm i sigurisë dhe i ekzistencës së serbëve në Kosovë./Telegrafi/
