Ish-kandidati për deputet nga Partia Socialdemokrate, Nol Nushi, i ka cilësuar si “lojë” takimet mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Sipas Nushit, secili prej tyre po kalkulon për interesin e vet personal dhe jo për interesin e partisë.
“Njëra nga opsionet ishte loja dhe unë po pajtohem me opsionin e lojës, ku secili prej tyre po kalkulon për interesin e vet dhe nuk po them për interesin e partisë, por për interes puro personal. Pse është lojë? Është sepse Kurti po dëshiron të blejë kohë për t’u dukur ai që po mundohet me i dhënë krizës një zgjidhje, ndërkohë që ai vet është kriza”, ka deklaruar Nushi.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Nushi ka vlerësuar se interesi i Kurtit është zvarritja e procesit të formimit të institucioneve.
Sipas tij, kjo mund t’i mundësojë Kurtit që, në rast se Kuvendi konstituohet dhe nuk arrihet pajtim për presidentin, vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
“Kurti po dëshiron me zvarrit procesin deri në afatet ku, në rast se konstituohet Kuvendi dhe nuk ka pajtim për president, ta kap atë 27 dhjetorin e famshëm për zgjedhje. Por njëkohësisht është edhe vendimi i Hagës, të cilin Kurti e pret me kureshtje. Çfarëdo vendimi që ka me e marrë tash, me e kalkulu edhe vendimin potencial të Hagës dhe me qenë brenda atij afati”, ka thënë ai.
Nushi ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, subjektet politike po i interpretojnë afatet kushtetuese.
“Sa për afate kushtetuese nuk është se po lodhen shumë, sepse tashmë secili, sidomos këta të VV-së, kanë vendosur afate kushtetuese të tyre. Do të thotë, nuk i lexojnë Kushtetutën, por thonë: për ne është kështu, e nëse nuk pajtoheni, çojeni në Kushtetutë”, është shprehur Nushi.
Ndërkohë, duke folur për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Nushi ka thënë se situata aktuale po i konvenon atij për të shpëtuar dhe forcuar pozitën e tij brenda partisë.
“Pse i konvenon Abdixhikut kjo situatë? Sepse kjo situatë është për të shpëtuar dhe forcuar pozitën e tij brenda partisë. Unë kam përshtypjen që Abdixhiku tashmë është duke e krijuar rolin e fajësisë brenda partisë. Kurti ka me fajësu LDK-në për mungesë kompromisi, e Abdixhiku ka me thënë kjo mungesë kompromisi për një president po vjen nga kjo pjesa tjetër e partisë”, ka deklaruar ai.
Sipas Nushit, një situatë e tillë mund të shihet edhe në qëndrimet e mëhershme brenda LDK-së lidhur me çështjen e presidentit.
“Siç e kemi parë në fillim, edhe të pakënaqurit në LDK ishin okej që LDK-ja me e pas presidentin, po nga ai qëllim u zbraps shumë shpejt Abdixhiku. Unë nuk e di pse e ka marrë këtë barrën e lustrimit të figurës së Albin Kurtit dhe vajisjes së rrugës së tij drejt instalimit të autokracisë”, ka thënë Nushi.
I pyetur se pse Albin Kurtit do t’i interesonin zgjedhjet e reja, Nushi është shprehur se lideri i Vetëvendosjes ndodhet në një pozitë të favorshme politike, pasi vazhdon të ketë mbështetje të lartë elektorale.
“Sepse unë besoj që nga të gjitha partitë, Kurti është në opozitën më komode. Do të thotë, ka rezultat elektoralisht shumë të lartë dhe vazhdon me pas. Në fund të fundit, Kurti nuk po humb asgjë nga zgjedhjet, sepse ai po vazhdon me qenë kryeministër në detyrë, shpura e tij e partisë po vazhdon me i marrë pagat dhe ndërkohë që po jemi në procese zgjedhore dhe me qeveri në detyrë, shteti po vazhdon me u kap”, ka përfunduar Nushi./teve1.info/

