Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 20 personave, të dyshuar për përfshirje në krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në komunën e Gjakovës gjatë luftës së vitit 1999.
Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq, i cili nga autoritetet kosovare është akuzuar edhe për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë.
Sipas aktakuzës së siguruar nga KOHA, në maj të vitit 1999, për tri ditë radhazi, forcat serbe zhvilluan një operacion në Gjakovë, gjatë të cilit, sipas Prokurorisë, u vranë 107 civilë shqiptarë.
Dokumenti përshkruan në detaje mënyrën se si, sipas Prokurorisë, civilët u ndaluan, u keqtrajtuan dhe u vranë në lokacione të ndryshme të qytetit, përfshirë zonën e njohur si “Ura e Taliqit”.
Në aktakuzë thuhet se të pandehurit, të uniformuar dhe të armatosur me armë të llojeve të ndryshme, i kanë detyruar civilët shqiptarë të largoheshin nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e armëve.
Sipas Prokurorisë, gjatë lëvizjes së detyruar nëpër rrugët e qytetit, shtëpi, oborre dhe në zonën e “Urës së Taliqit”, pjesëtarë të forcave serbe kanë vrarë një numër të madh civilësh.
Një pjesë e viktimave, sipas aktakuzës, janë varrosur në varrezat e qytetit të Gjakovës, ndërsa pjesa tjetër janë zhdukur dhe më vonë janë gjetur në varreza masive në Batajnicë të Serbisë.
Prokuroria e përshkruan këtë si dëshmi të një përpjekjeje të organizuar dhe sistematike për fshehjen e gjurmëve të krimeve të kryera ndaj popullsisë civile.
Mbi 300 civilë u dërguan në burgje
Në aktakuzë thuhet gjithashtu se të pandehurit kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga meshkujt dhe se më shumë se 300 civilë shqiptarë janë dërguar në burgje dhe objekte të improvizuara të ndalimit.
Sipas dokumentit, ata janë mbajtur në kushte që Prokuroria i cilëson si çnjerëzore dhe degraduese, pa ushqim të rregullt, higjienë bazike dhe kujdes të nevojshëm shëndetësor.
“U dërguan në burgjet në Kosovë, e më pas u transferuan në burgje në territorin e Serbisë, ku u mbajtën deri pas përfundimit të luftës, kur edhe u liruan me ndërmjetësimin dhe ndihmën e organizatave ndërkombëtare”, thuhet në aktakuzë.
Prokuroria: Gratë u plaçkitën, banorët u dëbuan drejt Shqipërisë
Një pjesë e aktakuzës i kushtohet edhe plaçkitjes së civilëve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare nga shtëpitë e tyre.
Sipas Prokurorisë, gratë janë plaçkitur dhe u janë marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë.
Ndërkohë, meshkujt, sipas aktakuzës, janë detyruar t’i nënshtroheshin verifikimit të identitetit, ndërsa disa prej tyre janë ekzekutuar në shtëpi dhe oborre, e disa të tjerë janë arrestuar dhe burgosur.
Gratë dhe fëmijët, nën kërcënimin e armëve, janë detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre në drejtim të “Urës së Taliqit”, prej nga, sipas aktakuzës, janë bashkuar me kolonat e refugjatëve që largoheshin drejt Shqipërisë.
Djegia e shtëpive dhe dëmet materiale
Prokuroria Speciale pretendon gjithashtu se gjatë muajit maj të vitit 1999, në Gjakovë, të pandehurit u kanë vënë zjarrin shtëpive të disa familjeve shqiptare.
Sipas aktakuzës, kjo është bërë me qëllim të fshehjes së gjurmëve të krimeve dhe në kuadër të asaj që Prokuroria e cilëson si përpjekje për spastrimin etnik të territorit.
Si pasojë e këtyre veprimeve, sipas dokumentit, familjeve u janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.
Aktakuza është ngritur në mungesë ndaj 20 personave, ndërsa rasti përfshin një sërë akuzash për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në komunën e Gjakovës gjatë luftës së vitit 1999.

