Ahmet Isufi nga Aleanca ka komentuar ofertën e re të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini, duke e cilësuar atë si përpjekje për blerje kohe dhe lojë politike.
Kurti, pasi nuk ka arritur të zhvillojë takim drejtpërdrejt me Gjinin, i ka propozuar atij që të zhvillohet një takim mes përfaqësuesve të LVV-së dhe Aleancës.
“Meqenëse nuk u takuam ne të dy, a bën që të takohen përfaqësuesit e LVV-së dhe Aleancës (nga një ose dy veta), në një kohë e vend të përshtatshëm për juve?”, i ka shkruar Kurti kryetarit të Aleancës.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Isufi ka thënë se Aleanca nuk dëshiron të përfshihet në, siç e ka quajtur ai, lojëra politike të tilla.
“Ne e dimë kush vendos në Vetëvendosje dhe nuk jemi aq naivë që të mos e kuptojmë se po tentohet me ble kohë dhe me bë lojë me ekipe tjera, me përfaqësues tjerë. Jo bre, kokë e punës dihet kush është ai që vendos. Po të mos jetë ai, krejt ndryshe është edhe VV-ja, por ai e bën politikën ekskluzive të VV-së dhe kot ti mund të takohesh me të tjerë”, ka deklaruar Isufi.
Ai ka shtuar se Aleanca nuk do të hyjë në një proces ku, sipas tij, vendimmarrja politike është e përqendruar te lideri i subjektit.
“Kur është bërë ndonjë zgjidhje në interes të Kosovës, në kuptimin më të mirë, e që nuk ka vendosur lideri e dikush tjetër paska vendos? Do të thotë, kjo është një lojë në të cilën ne nuk hyjmë. Përkundrazi, jemi që të bëhen institucionet e Kosovës”, është shprehur ai.
Isufi ka përmendur edhe deklaratat e mëhershme të Kurtit lidhur me mundësinë e zgjedhjeve të reja, duke thënë se lideri i LVV-së kishte përcaktuar edhe numrin e votave që do t’i nevojiteshin për formimin e institucioneve.
“Po konsideroj që e keni dëgjuar deklaratën e Kurtit para zgjedhjeve të 7 qershorit, ku ka thënë se përsëri do të kemi zgjedhje nëse nuk i kam 84 apo 85 vota. Pra, e ka përcaktuar edhe limitin e votave mbi 80, sa duhet me i pas, se mund të mungojë ndonjë etj.”, ka deklaruar Isufi.
Ndryshe, kryeministri në detyrë dhe kreu i Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka ftuar sërish në takim liderët e partive opozitare, përfshirë edhe kryetarin e Aleancës, Ardian Gjini.
Zëdhënësi i Aleancës, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar për Tëvë1 se Gjini e ka pranuar mesazhin e Kurtit përmes WhatsApp-it dhe se përgjigjja i është kthyer në të njëjtën mënyrë.
“Po, mund të ju konfirmojmë se kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka pranuar mesazh në WhatsApp nga kreu i LVV-së, Albin Kurti dhe të njëjtit i ka kthyer përgjigje po në WhatsApp”, ka deklaruar Xhemaili.
Megjithatë, Gjini edhe kësaj radhe e ka refuzuar ftesën.
Meqenëse Gjini nuk ka pranuar asnjë takim me Kurtin deri me tani, kësaj radhe lideri i VV-së ka pasur një lutje të re për Gjinin.
Ai ka kërkuar që të mundësohet një takim në mes të përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës.
“Meqenëse nuk u takuam ne të dy, a bën që të takohen përfaqësuesit e LVV dhe Aleancës (nga një ose dy veta), në një kohë e vend të përshtatshëm për juve?”, i ka kërkuar Kurti kryetarit të Aleancës.

