Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shprehur ngushëllimet për familjen e Zenun Brovinës, i cili ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.
Ademi e ka cilësuar Brovinën si një prej figurave emblematike të futbollit kosovar, duke theksuar se vdekja e tij dhe ajo e Erdogan Celinës në të njëjtën ditë përbëjnë një humbje të madhe për futbollin e Kosovës.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Zenun Brovinës, njërit prej emrave të mëdhenj dhe figurave emblematike të futbollit të Kosovës”, ka shkruar Ademi.
Brovina karrierën e nisi te Vëllaznimi i Gjakovës, ndërsa më pas luajti edhe për Partizanin e Beogradit dhe Prishtinën. Ai ishte gjithashtu kapiten i Reprezentacionit të Kosovës.
Sipas Ademit, Brovina ishte një futbollist i spikatur i gjeneratës së tij dhe një figurë e respektuar për karakterin, modestinë dhe përkushtimin e tij.
“Me Zenun Brovinën, futbolli i Kosovës humbi një legjendë. Por trashëgimia e tij, kujtimet nga ndeshjet, fanellat që veshi, kontributi dhe shembulli që la pas do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë sonë sportive”, ka deklaruar presidenti i FFK-së.
Ademi ka shprehur ngushëllimet e tij dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së për familjen Brovina, të afërmit, miqtë dhe gjithë komunitetin e futbollit.
“Sot futbolli ynë po i përcjell për në përjetësi dy nga futbollistët e tij më të çmuar, Zenun Brovinën dhe Erdogan Celinën. Lamtumirë Zenun Brovina! I përjetshëm qoftë kujtimi për ju!”, përfundoi Ademi.

