Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mirëpritur hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
Ajo u shpreh se për më shumë se 27 vjet kjo ndarje e qytetit krijoi pasiguri dhe probleme me sundimin e ligjit, raporton Zeri.info.
“Për më shumë se 27 vjet, ndarja e Mitrovicës, përveçse krijoi pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, mundësoi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave të tyre, e njëkohësisht i dha Serbisë alibi për të vazhduar me ëndrrat e saj hegjemoniste për ndarjen e Kosovës”, u shpreh Osmani.
Ndër të tjera, Osmani falënderoi të gjitha institucionet e angazhuara ndër vite për ta arritur këtë hap, e veçanërisht Policinë e Kosovës, për të cilën tha se mban barrën kryesore për sigurinë.
“Prandaj, qarkullimi i lirshëm mbi urën kryesore të lumit Ibër, përveçse bashkon njerëz, mbi të gjitha është një hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh. Përkundër vonesave të mëdha, ky hap do të ndihmojë në rritjen e nivelit të sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në vendin tonë”, thuhet në postimin e saj. /Zëri

