Në qytetin serb të Vrnjaçka Banjës janë shfaqur pankarta me mesazhe nacionaliste serbe, në një kohë kur sot shënohet trevjetori i sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku më 24 shtator 2023 u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në pamjet e siguruara nga Vrnjaçka Banja shihen disa pankarta të shkruara me alfabetin cirilik.
Në njërën prej tyre lexohet mesazhi i njohur nga miti serb i Kosovës.
“Tokësorja është për një mbretëri të vogël, ndërsa qiellorja përgjithmonë.”
Ky është një varg i lidhur me traditën mitologjike serbe për Betejën e Kosovës dhe figurën e princit Lazar, përmes të cilit sakrifica dhe vdekja në luftë paraqiten si rrugë drejt “mbretërisë qiellore”.
Në të njëjtën pamje shihet edhe një pankartë tjetër me shkrime që lidhen me narrativën nacionaliste serbe dhe Kosovën. Pamja është publikuar në një kohë simbolike, pikërisht më 24 shtator, në ditën kur mbushen tre vjet nga sulmi i armatosur në Banjskë.
Sulmi i 24 shtatorit 2023 nisi kur një grup i armatosur serbësh bllokoi një rrugë në Banjskë me kamionë dhe hapi zjarr ndaj Policisë së Kosovës. Në përleshjen e armatosur u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa më pas u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb – Stefan Nedeljkoviq, Igor Milenkoviq dhe Bojan Mijailoviq.
Nga sulmi në Banjskë te glorifikimi i terroristëve
Rasti i Banjskës vazhdon të jetë një nga episodet më të rënda të sigurisë në Kosovë pas luftës së vitit 1999.
Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, përmes avokatit të tij mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit, ndërsa autoritetet e Kosovës e akuzojnë atë për organizimin dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.
Në Kosovë, Prokuroria Speciale e ka trajtuar rastin si sulm terrorist, ndërsa në prill të vitit 2026 Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi tre nga 42 të akuzuarit për rastin. Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vjet burgim.
Në anën tjetër, në Serbi, narrativat publike për tre serbët e vrarë në Banjskë kanë përfshirë edhe paraqitjen e tyre si “luftëtarë” dhe figura të lidhura me kauzën serbe për Kosovën.
Vetëm pas sulmit, atëbotë ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i kishte përshkruar të vrarët si pjesëtarë të një vargu luftëtarësh që kishin rënë “për lirinë e Kosovës dhe lirinë e Serbisë”.
Pamja nga Vrnjaçka Banja, megjithatë, nuk dëshmon vetëm përkujtimin e të vrarëve në Banjskë, ajo që dokumenton qartë është përdorimi i një prej mesazheve qendrore të mitologjisë serbe të Kosovës në një ditë kur në Kosovë dhe rajon po shënohet trevjetori i sulmit.
Kjo ndodh ndërsa në Kosovë trevjetori po shënohet me përkujtimin e Afrim Bunjakut dhe aktivitete në Banjskë, përfshirë vendosjen e gurthemelit për një obelisk në nderim të policit të vrarë./TheGeoPost/


