Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Karmë të Vaut të Dejës, në Qarkun e Shkodrës, ku dy persona kanë humbur jetën pasi dyshohet se ranë në kontakt me energjinë elektrike.
Sipas të dhënave të Policisë, ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të një lokali. Viktimat janë Sokol Preka, 40 vjeç, i cili punonte si roje në lokal, dhe David Deda, 46 vjeç, me profesion elektricist.
Preka ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me rrymën elektrike, ndërsa Deda, i cili gjithashtu ishte përfshirë në incident, ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt spitalit.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta që çuan në ngjarjen tragjike. Grupi hetimor po zhvillon veprimet nën drejtimin e Prokurorisë.

