Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar sonte me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Pas takimit për presidentin, Kurti la të nënkuptohej se akoma s’ka marrëveshje për emrin konsensual.
“Kur të kemi rezultate prej anës sonë, kemi lajme për juve”, tha shkurt Kurti.
Kurti, kryeministër në detyrë, dhe Abdixhiku, u takuan edhe të mërkurën në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.
Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit – mandati presidencial së cilës përfundoi në prill – Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.
Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.
LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për profilin e presidentit të ardhshëm dhe kanë thënë se synojnë që në takimin e radhës të dalin me emra konkretë.
Deri më tani, në media kanë qarkulluar disa emra për postin e presidentit.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.
Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri./Telegrafi

