Një sulm kibernetik ka goditur tre aeroporte të rëndësishme në Britaninë e Madhe, duke shkaktuar vjedhjen e të dhënave personale të rreth 8.7 milionë klientëve.
Lajmi është bërë i ditur nga grupi Manchester Airports Group (MAG), që menaxhon aeroportet e Mançesterit, London Stansted dhe East Midlands.
Sipas kompanisë, sulmi nuk ka shkaktuar ndërprerje në funksionimin e aeroporteve dhe nuk ka prekur fluturimet.
Të dhënat e marra nga hakerët përfshijnë adresa emaili, numra telefoni, targa automjetesh dhe kode postare.
MAG bëri të ditur se sulmi ndodhi gjatë fundjavës, ndërsa kompania u informua për incidentin vetëm të martën.
“Në asnjë moment siguria e pasagjerëve apo siguria e aviacionit nuk u vunë në rrezik”, deklaroi grupi, duke theksuar gjithashtu se të dhënat bankare dhe informacionet e pagesave nuk janë prekur.
Sipas Manchester Airports Group, autorët e sulmit arritën të kenë akses në të dhënat e klientëve që lidhen me shërbime të ndryshme të aeroporteve.
Mes tyre janë:
rezervimet për vendet e parkimit;
rezervimet e sallave të pritjes;
shërbimet Fast Track;
regjistrimet për rrjetin Wi-Fi në terminale.
Kompania e ka cilësuar autorin e sulmit si një “palë të tretë të paautorizuar”, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi identitetin e hakerëve apo motivet e tyre.
MAG deklaroi se ka marrë masa të menjëhershme për të kufizuar rrezikun dhe për të mbrojtur sistemet e saj.
“E kufizuam menjëherë rrezikun dhe po bashkëpunojmë me këshilltarë të specializuar, duke marrë masat e duhura për mbrojtjen e klientëve dhe sistemeve tona”, thuhet në deklaratën e grupit.
Pavarësisht përmasave të incidentit, operacionet e tre aeroporteve vijojnë normalisht dhe nuk raportohet për ndikim në sigurinë e pasagjerëve apo në trafikun ajror. /Panorama
The post Sulm kibernetik ndaj tre aeroporteve në Britani, hakerët vjedhin të dhënat e 8.7 milionë klientëve appeared first on Gazeta Express.

