Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Driton Gojani, së bashku me anëtarët e Bordit, priti në takim Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, dhe përfaqësuesit e Sekretariatit.
Takimi u përqendrua në zhvillimet aktuale në sektorin e energjisë në Kosovë, me theks të veçantë në procesin e reformimit dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, forcimin e kapaciteteve rregullative dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar. Gjithashtu, u diskutua për Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë dhe rëndësinë e garantimit të pavarësisë institucionale, funksionale dhe financiare të ZRRE-së, në përputhje me kërkesat e Komunitetit të Energjisë dhe parimet e përcaktuara në Direktivën (BE) 2019/944.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë konfirmoi gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj ZRRE-së në avancimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ, si dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale.
Në përmbyllje të takimit, të dyja palët riafirmuan përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit institucional dhe avancimin e reformave në sektorin e energjisë, me synim zhvillimin e një tregu të qëndrueshëm, konkurrues dhe të integruar të energjisë elektrike.
Burimi: RTKLive





