Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të takohet të enjten në Dublin me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të cilët do ta informojnë për rezultatet e bisedimeve të fundit me Rusinë, në kuadër të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Takimi do të zhvillohet në margjinat e samitit të nëntë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku po marrin pjesë liderë nga më shumë se 45 vende.
Witkoff dhe Kushner pritet të mbërrijnë pasdite nga Moska, ku janë takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. Ata do ta informojnë Zelenskyn për zhvillimet në negociata, pas dy ditëve të bisedimeve të zhvilluara në Abu Dhabi.
Zelensky ndodhet në kryeqytetin irlandez me ftesë të kryeministrit Micheál Martin, i cili të mërkurën në mbrëmje shprehu solidaritetin me popullin ukrainas dhe dënoi sulmet e vazhdueshme ruse.
“Është barbare dhe e neveritshme. Edhe një herë shpreh solidaritetin tim të sinqertë me popullin e Ukrainës dhe admirimin e pakufishëm për vendosmërinë, qëndrueshmërinë dhe guximin tuaj”, deklaroi Martin gjatë një konference të përbashkët për media.
Gjatë takimit me kryeministrin irlandez, Zelensky falënderoi përfaqësuesit evropianë që kanë marrë pjesë në bisedimet në Abu Dhabi, por theksoi se Evropa duhet të jetë pjesë qendrore e çdo negociate që lidhet me të ardhmen e sigurisë së kontinentit.
Ai kërkoi që liderët evropianë të pajtohen për një përfaqësues të vetëm, i cili do ta përfaqësojë Evropën në negociatat e ardhshme.
“Kjo luftë po zhvillohet në Ukrainë dhe përfundimi i saj pa pjesëmarrjen e Evropës do të ishte i padrejtë dhe i pamundur”, tha Zelensky.
Ai shtoi se duhet të përcaktohen personalitete konkrete, përkatësisht liderë evropianë që do ta përfaqësojnë kontinentin, duke theksuar se kjo duhet të bëhet gjatë muajit nëntor, pasi negociatat pritet të vazhdojnë.
“Emisarët e presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të zhvillojnë nesër negociata në Rusi dhe presim të takohemi me ta deri në fund të ditës këtu në Irlandë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ndërkaq, Kushner kishte thënë më herët në Abu Dhabi se do të kërkonte miratimin e Putinit për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Evropës në negociata.
Gjatë qëndrimit në Dublin, Zelensky pritet të zhvillojë edhe disa takime dypalëshe, të marrë pjesë në seanca plenare dhe në një aktivitet të organizuar nga grupi “Miqtë e Ukrainës”, të bashkëkryesuar nga Martin dhe kryeministri britanik Andy Burnham.
Ndërkohë, autoritetet irlandeze kanë shtuar masat e sigurisë në Dublin, pas një serie kërcënimesh që kanë paraprirë samitin, transmeton Telegrafi.
Të mërkurën në mëngjes, qindra shkolla në Irlandë, Britani të Madhe dhe Itali morën kërcënime të rreme për bomba. Këto pasuan kërcënime të ngjashme ndaj kompanive ajrore dhe organizatave mediatike.
Policia irlandeze, Garda Síochána, ka deklaruar se është e përgatitur për çdo skenar të mundshëm.
“Jemi të gatshëm për çdo eventualitet, për sa u përket pajisjeve, trajnimit, personelit dhe planeve tona”, tha komisioneri i policisë, Justin Kelly.
Përgjatë rrugëve që çojnë drejt Qendrës së Konventave në Dublin, ku po mbahet samiti, janë paralajmëruar edhe disa protesta.
Kelly tha se policia do të lehtësojë zhvillimin e protestave paqësore, por do të ndërhyjë shpejt në rast të dyshimeve për veprimtari kriminale. Ai theksoi se nuk do të lejohet asnjë ndërprerje e aktiviteteve apo pengim i delegacioneve dhe gazetarëve.
Komuniteti Politik Evropian është një forum joformal, i krijuar në vitin 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës, ku liderët evropianë diskutojnë çështje politike dhe strategjike me interes të përbashkët.
Në këtë edicion po marrin pjesë edhe kryeministri kanadez Mark Carney, për herë të parë, kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre dhe presidenti zviceran Guy Parmelin. Ky i fundit përfaqëson Zvicrën si nikoqire të samitit të dhjetë, që pritet të mbahet në Cyrih në prill të vitit 2027.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian tha për Euronews se pjesëmarrja e Carneyt simbolizon afërsinë që Kanadaja dëshiron të ketë me Evropën në çështjet e sigurisë.
Tema e këtij viti është “Evropa – e fortë, e sigurt dhe e ndërlidhur”, me fokus në forcimin e konkurrueshmërisë përmes sigurisë energjetike dhe ndërlidhjes.
Megjithëse migrimi nuk është ndër temat kryesore të agjendës, ai pritet të diskutohet gjithashtu. Sipas një zyrtari të BE-së, pritet edhe një deklaratë e përbashkët nga Italia, Danimarka dhe Britania e Madhe.
Samiti i EPC-së paraprin takimin joformal të liderëve të BE-së të premten, i cili pritet të zhvillohet në një atmosferë të tensionuar për shkak të mospajtimeve lidhur me koordinimin evropian për Ukrainën.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, i ka dërguar javën e kaluar një letër me tone të ashpra presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, duke kritikuar mungesën e një qëndrimi të përbashkët mes vendeve evropiane për luftën në Ukrainë.
Meloni ka vënë në pikëpyetje se kush e përfaqëson Evropën në këtë çështje dhe ka kritikuar përpjekjet diplomatike të presidentit finlandez, Alexander Stubb, dhe kryeministrit norvegjez, Jonas Gahr Støre, të cilët muajin e kaluar zhvilluan një bisedë 90-minutëshe me Putinin.
Sipas saj, Evropa po paraqitet pa një qëndrim të unifikuar për Ukrainën, ndërsa takimet e shumta dhe përfaqësimet e ndryshme diplomatike po dëmtojnë besueshmërinë e saj në trajtimin e një prej çështjeve më të ndërlikuara me të cilat përballen vendet evropiane. /Telegrafi/





