Një mosmarrëveshje mes bashkëshortëve në Prishtinë, e nisur për shkak të kartelës bankare të djalit të tyre me autizëm, ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë dhe ndalimin e një 69-vjeçari për dhunë në familje. Gruaja ka denoncuar se bashkëshorti e kishte nxjerrë nga banesa, duke e akuzuar për marrjen e kartelës, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, më 11 nëntor, rreth orës 09:00, në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, e dëmtuara është A.H. rreth 51-vjeçare, ndërsa i dyshuari është bashkëshorti i saj, N.H. rreth 69-vjeçar.
Gruaja ka deklaruar se gjithçka kishte nisur pasi ishte vërejtur mungesa e kartelës bankare të djalit të tyre, i cili është person me autizëm.
Sipas denoncimit, bashkëshorti e kishte akuzuar atë se e kishte marrë kartelën dhe, pas mosmarrëveshjes, e kishte larguar nga banesa.
51-vjeçarja ka deklaruar se kishte qëndruar jashtë banesës deri në mbërritjen e zyrtarëve policorë.
Pas ndërhyrjes së Policisë dhe trajtimit të rastit, është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar inicimin e procedurës penale për veprën “Dhuna në familje”.
Me vendim të Prokurorisë, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





