Teresa Enke, e veja e ish-portierit të Kombëtares së Gjermanisë, Robert Enke, ka zbuluar për herë të parë, 17 vjet pas vdekjes së tij, se në ditën e fundit të jetës, ai kishte vizituar varrin e vajzës së tyre, Larës, ku kishte lënë një mesazh: “Lara, babi po vjen”.

Teresa Enke e rrëfeu këtë në podkastin “Wie geht’s?”, të moderuar nga futbollisti gjerman Robin Gosens, i cili trajton tema që lidhen me shëndetin mendor.
Ajo kujtoi gjithashtu mbrëmjen e fundit që kaluan së bashku. Teksa ishin ulur në divan, Roberti e përqafoi, e puthi dhe i tha se e donte. Siç rrëfeu Teresa, në atë moment kishte menduar se bashkëshorti i saj më në fund po shërohej.
Çifti kishte përjetuar një humbje të rëndë disa vite më parë. Vajza e tyre, Lara, e lindur me një defekt në zemër, kishte ndërruar jetë në shtator të vitit 2006, në moshën dyvjeçare. Robert Enke vdiq më 10 nëntor 2009.
“Unë e njoh shkrimin e tij të dorës”
Teresa tregoi se në ditën e fundit të jetës së tij, Roberti kishte ndaluar te varrezat dhe kishte shkruar fjalët “Lara, babi po vjen” brenda zemrës së vendosur mbi varrin e vajzës së tyre.
Sipas saj, nëna e Robertit kishte pretenduar se ishte ajo që i kishte shkruar këto fjalë, por Teresa e mohoi këtë, duke theksuar se e njihte mirë shkrimin e dorës së bashkëshortit të saj.
Për Teresën, ky mesazh ishte një dëshmi se Roberti nuk ishte pajtuar kurrë plotësisht me vdekjen e vajzës së tyre.
“Nuk mendoj se Robbie e përballoi atë humbje ashtu siç duhej”, u shpreh Teresa Enke, duke shtuar se pas vdekjes së Larës, ata nuk kishin kërkuar ndihmë, por thjesht kishin vazhduar të mbanin zi së bashku.
Kur Gosens e pyeti nëse bota e futbollit në atë kohë nuk ishte ende e gatshme të fliste hapur për shëndetin mendor dhe sëmundjet mendore, Teresa u përgjigj pozitivisht.
Robert Enke, portier i Hannover 96 dhe pjesë e Kombëtares së Gjermanisë, e cila fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian të vitit 2008, vuante prej vitesh nga depresioni, të cilin e kishte mbajtur të fshehtë nga publiku.
Pas vdekjes së tij, Teresa themeloi Fondacionin Robert Enke, i cili synon të ndihmojë personat që vuajnë nga depresioni dhe të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e shëndetit mendor./Telegrafi/





