Një tragjedi e rëndë është zbuluar mëngjesin e së hënës në ujërat pranë ishullit grek të Kretës, ku 12 migrantë janë gjetur pa shenja jete në një varkë, ndërsa 18 persona të tjerë janë shpëtuar. Në të njëjtën zonë janë zhvilluar edhe dy operacione të tjera, duke e çuar në 105 numrin e përgjithshëm të personave të shpëtuar, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas agjencisë ndërkombëtare Reuters, duke iu referuar autoriteteve greke, varka me migrantë është lokalizuar rreth 15 milje detare larg portit Kaloi Limenes, në jug të Kretës.
Mjeti lundrues është vërejtur fillimisht nga një anije tregtare me flamur maroken, e cila ka ndërhyrë për të shpëtuar personat që ndodheshin në të.
Në operacion është përfshirë më pas edhe Roja Bregdetare greke, e cila ka marrë në bord 18 të mbijetuarit dhe ka nxjerrë trupat e pajetë të 12 migrantëve.
Sipas mediave greke, anija e Rojës Bregdetare është nisur drejt portit të Agia Galinit, ku pritet të përfundojnë procedurat përkatëse.
Identiteti i viktimave dhe rrethanat që çuan në vdekjen e tyre nuk janë bërë të ditura.
Dy operacione të tjera gjatë natës, Frontex shpëton edhe 87 migrantë
Paralelisht me këtë tragjedi, autoritetet greke dhe Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, kanë zhvilluar edhe dy operacione të tjera në ujërat në jug të Kretës.
Në rastin e parë, një mjet ajror i Frontex-it ka lokalizuar një varkë me 47 migrantë, rreth 30 milje detare larg bregdetit. Personat janë marrë nga një anije shpëtimi dhe janë transportuar drejt portit.
Në një tjetër operacion, një dron i Frontex-it ka identifikuar një varkë me 40 migrantë, rreth 31 milje detare larg Kaloi Limenes.
Edhe këta persona janë shpëtuar nga ekipet e angazhuara në operacion.
Sipas bilancit të publikuar nga mediat greke, në tri rastet janë gjetur gjithsej 117 migrantë, prej të cilëve 105 janë shpëtuar dhe 12 kanë humbur jetën.
Rruga detare nga Afrika drejt Kretës, një nga kalimet e rrezikshme drejt Europës
Greqia vazhdon të jetë një nga pikat kryesore të hyrjes në Bashkimin Evropian për migrantët dhe refugjatët që largohen nga vendet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë.
Gjatë muajve të fundit është shënuar rritje e kalimeve nga brigjet e Libisë drejt Kretës, një rrugë detare ku migrantët shpesh udhëtojnë me mjete lundruese të papërshtatshme për distanca të gjata.
Sipas Associated Press, korridori detar Libi–Kretë ka qenë ndër segmentet më të frekuentuara të rrugës së Mesdheut Lindor gjatë vitit 2026.
Tragjedia e mëngjesit të së hënës vjen në një kohë kur autoritetet greke dhe ato evropiane po përballen me fluksin e migrantëve që tentojnë të arrijnë brigjet e Europës përmes Mesdheut.
Burimi: Sinjali




