Një rrjet i fshehtë i lidhur me Rusinë ka shfrytëzuar trazirat e muajit të kaluar në Francë për të përhapur video të falsifikuara, lajme të rreme dhe mesazhe kundër migrantëve, me synimin për të nxitur frikë dhe përçarje në shoqërinë franceze.

Këto janë gjetjet e një vlerësimi të brendshëm të Bashkimit Evropian, të siguruar nga agjencia ndërkombëtare Reuters, e cila ka publikuar sot një hulumtim mbi mënyrën se si aktorë të huaj kanë shfrytëzuar protestat në Francë për qëllime politike, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas dokumentit, rrjeti i njohur si “Operation Overload” ka shpërndarë në rrjetet sociale video që imitonin raportimet e mediave të njohura perëndimore, duke përhapur pretendime të pavërteta se migrantët kishin përdhunuar protestues dhe se sulme terroriste ishin të pashmangshme.
Qëllimi i operacionit, sipas vlerësimit evropian, ishte paraqitja e udhëheqjes franceze si të dobët dhe gjithnjë e më autoritare, duke nxitur mosbesim ndaj institucioneve dhe tensione në shoqëri.
Miliona shikime në rrjetet sociale, përfshihen edhe llogari të lidhura me lëvizjen MAGA
Reuters ka siguruar edhe një vlerësim të veçantë të Ministrisë së Jashtme franceze, sipas të cilit në shpërndarjen e mesazheve armiqësore rreth trazirave kanë marrë pjesë edhe llogari të lidhura me Izraelin dhe lëvizjen amerikane MAGA.
Këto llogari i kanë ndërlidhur trazirat me migracionin dhe islamizmin radikal.
Sipas të dhënave të përfshira në vlerësime, gjatë periudhës 16–18 tetor, dhjetë publikimet më të shikuara lidhur me trazirat kanë grumbulluar rreth 2.8 milionë shikime nga llogaritë proruse, mbi 49 milionë nga llogaritë e lidhura me MAGA-n dhe mbi 35 milionë nga ato të lidhura me Izraelin.
Këto shifra tregojnë shtrirjen e përmbajtjeve të identifikuara në raport, por nuk provojnë se ato kanë ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e protestave.
Video të krijuara me inteligjencë artificiale dhe zëra të klonuar
Rrjeti “Operation Overload”, i cili sipas vlerësimit evropian është aktiv që nga shtatori i vitit 2023, ka përdorur teknika të ndryshme manipulimi për t’i bërë përmbajtjet e rreme të duken si raportime autentike.
Sipas Institutit për Dialog Strategjik, kjo fushatë ka përdorur video që imitojnë edicionet informative, zëra ekspertësh të klonuar përmes inteligjencës artificiale, tituj gazetash të falsifikuar dhe fotografi të manipuluara.
Përmes këtyre materialeve, rrjeti ka synuar të diskreditojë institucionet perëndimore dhe të dobësojë mbështetjen evropiane për Ukrainën, duke përhapur mesazhin se qeveritë po i japin përparësi Ukrainës përpara problemeve të qytetarëve të tyre.
BE-ja nuk ka gjetur prova se Rusia i ka shkaktuar trazirat
Megjithatë, vlerësimi i Bashkimit Evropian bën një dallim thelbësor: nuk janë gjetur prova se Rusia apo aktorë të tjerë të huaj i kanë organizuar ose përshkallëzuar protestat në Francë.
Sipas dokumentit, bëhet fjalë për shfrytëzimin e trazirave që tashmë kishin shpërthyer, me qëllim ndikimin në opinionin publik.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron kishte deklaruar më 21 tetor se nuk kishte ndërhyrje të dukshme të huaj në shkaktimin e protestave, por se pas tyre ishte vërejtur manipulim i informacionit nga jashtë.
Reuters thekson se nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur të gjitha konstatimet e dy vlerësimeve të brendshme.
Ministria e Jashtme ruse nuk i është përgjigjur kërkesës së Reuters për koment lidhur me zbulimet e fundit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




