Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë një bastisjeje rutinore në Qendrën Korrektuese të Dubravës, zyrtarët korrektues kanë zbuluar një pako të dyshuar në zonën sterile, afër rrethojës së institucionit. Pakoja dyshohet se është hedhur nga jashtë institucionit.

Pas hapjes së pakos në zyrën e sigurimit, janë gjetur dy telefona mobilë të tipit iPhone, pa SIM kartela, si dhe dy kabllo për mbushje.
“Kontrollet dhe bastisjet e rregullta nga zyrtarët korrektues vazhdojnë me qëllim të parandalimit të futjes së sendeve të palejuara në institucion”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/








