​Spanja thotë se nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me BE-në

​Spanja thotë se nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me BE-në

​Spanja thotë se nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me BE-në

Spanja nuk do të jetë pengesë për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian, deklaroi kryediplomati spanjoll, Jose Manuel Albares, gjatë Forumit për Zgjerim 2026, të mbajtur në Bruksel.

Sponsor 3M Express

“Kemi qenë të qartë gjatë këtij viti se kurrë nuk do të jemi pengesë ndaj dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe kurrë nuk do të jemi pengesë që Kosova të afrohet me BE-në”, tha ai.

Spanja është një nga pesë vendet anëtare të BE-së, krahas Qipros, Sllovakisë, Greqisë dhe Rumanisë, që nuk e njohin pavarësinë e shpallur nga Kosova në vitin 2008.

Si dëshmi se Spanja nuk do të jetë pengesë, shefi i diplomacisë spanjolle përmendi heqjen e vizave për Kosovën dhe njohjen e pasaportave të Kosovës nga ana e Madridit.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës për të marrë një koment lidhur me qëndrimin e kryeplomatit spanjoll dhe është në pritje të përgjigjes.

Qytetarët e Kosovës, që nga janari i vitit 2024, mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen, përfshirë edhe në Spanjë.

Megjithatë, në po të njëjtin forum, ministri irlandez për Çështje Evropiane, Thomas Byrne, konfirmoi se qëndrimi i pesë shteteve anëtare, që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, paraqet pengesë për përparimin e Prishtinës drejt strukturave evropiane.

“Secili vend aplikant ka disa çështje që duhet t’i adresojë. Një numër shtetesh anëtare [të BE-së] nuk e njohin Kosovën. Kjo është sfidë për Kosovën dhe kjo është diçka që ne nuk mund ta tejkalojmë aq lehtë“, tha Byrne.

Irlanda, aktualisht, mban presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE-së.

Sa u përket shteteve mosnjohëse, më herët gjatë vitit, komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, deklaroi se zhvillimet ishin “inkurajuese”, kur ishte pyetur në Parlamentin Evropian se çfarë po bënte Komisioni Evropian sa u përket vendeve që nuk e njohin Kosovës.

“Sa u përket pesë shteteve mosnjohëse, unë ndjek çfarë po ndodh dhe zhvillimi është inkurajues”, tha Kos në prill të këtij viti, pa dhënë detaje të tjera.

Kosova ka ngecur në rrugën e saj evropiane. Prishtina aplikoi për anëtarësim në bllokun evropian në dhjetor të vitit 2022.

Komisioni Evropian rregullisht shpreh gatishmërinë për të nisur punën për opinionin mbi aplikimin e Kosovës, hapin që i paraprin marrjes së statusit të kandidatit. Megjithatë, që kjo të ndodhë, KE-ja duhet të mandatohet nga shtetet anëtare, të cilat për këtë çështje vendosin njëzëri.

Aplikimi ende nuk është shqyrtuar nga institucionet përkatëse evropiane, teksa Kosova mbetet shteti i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar së voni se pozita e vendit në procesin e integrimit nuk pasqyron përparimin e arritur.

Në fillim të nëntorit ai sërish tha se Kosova meriton statusin e vendit kandidat dhe nisjen e negociatave sa më shpejt.

“Kosova edhe më tej mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat, dhe përveç përkrahjes politike nga Komisioni Evropian për të nisur procesin teknik, ende nuk ka pasur ndonjë lëvizje nga shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së për t’i dhënë Komisionit mandatin politik për të nisur këtë proces”, deklaroi Kurti.

Ndryshe, edicioni i dytë i Forumit u mbajt më 15 dhe 16 nëntor në Bruksel. Ky forum mbledh udhëheqës evropianë, përfaqësues të vendeve që synojnë anëtarësimin, ekspertë dhe organizata të shoqërisë civile.

Mes folësve ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, si dhe liderë e zyrtarë nga shtetet e BE-së dhe nga vendet që janë pjesë e procesit të zgjerimit. Për të dytën herë, Kosova nuk mori pjesë në forum, pasi nuk u ftua nga Brukseli.

Lexo edhe

“Prishtina 2030”, alarm pas anulimit të takimit|Video

“Prishtina 2030”, alarm pas anulimit të takimit|Video

Aksident fatal në autostradën Fier-Vlorë, humb jetën shefi i krimeve në Policinë e Vlorës

Aksident fatal në autostradën Fier-Vlorë, humb jetën shefi i krimeve në Policinë e Vlorës

Zhgënjim në “Fadil Vokrri”, Kosova U21 mposhtet befasisht në shtëpi nga Luksemburgu

Zhgënjim në “Fadil Vokrri”, Kosova U21 mposhtet befasisht në shtëpi nga Luksemburgu