Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar në kufi dhe ka kthyer në Serbi një ngarkesë prej 27 tonësh misër, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e aflatoksinës B1 mbi kufirin e lejuar.

Sipas njoftimit të AUV-së, ngarkesa ishte importuar nga kompania “Ideal Group” nga Peja dhe nuk është lejuar të hyjë në tregun e Kosovës.
Bëhet fjalë për misër merkantil në kokrra, i cili tregtohet si lëndë e parë dhe mund të përdoret për ushqimin e kafshëve ose për përpunim të mëtejshëm, varësisht nga destinimi i tij.
AUV ka bërë të ditur se misri ishte eksportuar nga kompania “Agro Dom Doo”, me seli në Crvenka të Serbisë, sipas faturës së datës 10 nëntor 2026. Ngarkesa ishte paraqitur për import në pikën kufitare të Merdarit.
Gjatë kontrollit kufitar, inspektorët e AUV-së kanë marrë mostra të produktit për analiza laboratorike. Rezultatet kanë konfirmuar praninë e aflatoksinës B1 në nivel prej 0.029 mg/kg, përkatësisht 29 mikrogramë për kilogram.
Ky nivel është 45 për qind më i lartë se kufiri maksimal i lejuar, i cili është 0.020 mg/kg ose 20 mikrogramë për kilogram.
Çfarë rreziku paraqet aflatoksina B1?
Aflatoksina B1 është një substancë toksike që prodhohet nga disa lloje myqesh dhe mund të gjendet në misër dhe drithëra të tjera.
Sipas sqarimit të AUV-së, në rast se misri i kontaminuar përdoret për ushqimin e kafshëve qumështore, aflatoksina B1 mund të kalojë në qumësht në formën e aflatoksinës M1.
Kjo përbën rrezik për shëndetin e konsumatorëve, pasi ndotja mund të përfundojë në zinxhirin ushqimor përmes produkteve të qumështit.
Për këtë arsye, AUV ka ndërmarrë masën e kthimit të ngarkesës prej 27 tonësh në vendin e origjinës, duke mos lejuar që produkti të shpërndahet në tregun e Kosovës.





