Sulmuesi i AS Monacos dhe kombëtares së SHBA-së, Folarin Balogun, raportohet se u është ofruar Milanit dhe Juventusit për afatin kalimtar të janarit, pasi ka shpjeguar arsyen pse e prishi në momentet e fundit transferimin te Evertoni.

25-vjeçari i kishte kryer testet mjekësore me klubin e Premierligës në ditën e fundit të afatit kalimtar. Transferimi ishte përgatitur për shumën prej 50 milionë eurosh, përfshirë bonuset, por papritur lojtari vendosi të mos e nënshkruante kontratën.
“Pozicioni im ishte shumë i qartë. Nuk kam thënë asgjë publikisht, por, natyrisht, udhëtova drejt Evertonit me një kontratë të caktuar”, shpjegoi Balogun, gjatë grumbullimit me përfaqësuesen e SHBA-së.
“Por, në momentin kur u largova, kontrata kishte ndryshuar. Kjo ishte situata, shkurtimisht. Kontrata u ndryshua dhe në fund nuk u ndjeva rehat ta nënshkruaja”, shtoi ai.
Sipas “Calciomercato”, agjenti i tij, Jorge Mendes, vazhdon të punojë për t’i gjetur një klub të ri sulmuesit amerikan në afatin kalimtar të janarit.
Juventusi tashmë është përmendur si një nga klubet e interesuara për të, ndërsa Balogun i është ofruar edhe Milanit, ku Goncalo Ramos po has në vështirësi për të gjetur rrugën drejt golit.
Francesco Camarda pritet të huazohet sërish në janar, gjë që do të krijonte një hapësirë në repartin ofensiv të skuadrës kuqezi.
Megjithatë, një shqetësim për Balogun mbetet historia e tij me lëndimet. Ky raportohet të jetë edhe një nga faktorët që e shtyu Evertonin t’i ndryshonte kushtet e marrëveshjes.
Në këtë sezon, Balogun ka shënuar vetëm një gol në shtatë paraqitje zyrtare me fanellën e AS Monacos.
Burimi: Insajderi





