Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer sulme ndaj kryeqyteteve të njëra-tjetrës në orët e para të së enjtes, një ditë pas përfundimit të bisedimeve të paqes në Abu Dhabi dhe pak para takimit të negociatorëve amerikanë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff kanë mbërritur në Moskë, ku janë pritur në aeroport nga i dërguari i Putinit, Kirill Dmitriev.
“Mirëpres Steve dhe Jared në Moskë”, ka shkruar Dmitriev në rrjetin social X, duke publikuar një fotografi nga takimi me dy negociatorët. Takimi i tyre me kreun e Kremlinit pritet të zhvillohet më vonë gjatë ditës.
Ndërkohë, bisedimet dyditore mes delegacioneve ruse dhe ukrainase në Abu Dhabi kanë përfunduar me pajtimin për shkëmbimin e të burgosurve. Megjithatë, ndërmjetësuesit amerikanë kanë bërë të ditur se palët vazhdojnë të kenë mospajtime për çështje madhore, përfshirë ato territoriale.
Kushner ka theksuar se edhe partnerët evropianë duhet të jenë pjesë e negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në terren, Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se ka goditur objektiva ushtarake dhe energjetike në Ukrainë, përfshirë një depo municionesh në Kiev. Shpërthime janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas në orët e para të së enjtes, raportoi Reuters, ndërsa sulmet kanë dëmtuar edhe infrastrukturën energjetike dhe civile në rajonin e Rivnes.
Në anën tjetër, kryetari i bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin, ka njoftuar se mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar pesë dronë që po drejtoheshin drejt kryeqytetit. Dronë të tjerë janë rrëzuar edhe në rajonet e Rostovit dhe Tulës.
Pas takimit në Moskë, negociatorët amerikanë planifikojnë të udhëtojnë drejt Irlandës, ku do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili pritet të marrë pjesë në një takim të liderëve evropianë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





