Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri dhe Ndërmarrësi lidhur me Projektligjin për Rregullatorin për Energji, i cili është shtuar në rendin e ditës pas propozimit të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Taulant Kelmendi.
Gjatë raportimit, Rizvanolli ka paraqitur ndryshimet kryesore që parasheh projektligji i ri, duke theksuar se një ndër synimet kryesore është fuqizimi i mbrojtjes së konsumatorëve, përmes rritjes së kompetencave të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) në monitorimin e cilësisë së furnizimit, ndërprerjeve të energjisë elektrike, faturimit dhe respektimit të të drejtave të konsumatorëve.

“Një çështje që konsideroj që është shumë rëndësi, është që projekti i ri e përforcon mbrojtjen e konsumatorit. Më saktësisht përcakton, më hollësisht, përgjegjësitë e rregullatorit për monitorimin e cilësisë, furnizimit, ndërprerjeve të energjisë, faturimit dhe respektimit të të drejtave të konsumatorëve. Kjo duke qenë se nga përvoja jonë, si në qoftë se ministri, qoftë besoj që edhe ju si deputet, ankesat kryesore nga qytetarët i kemi pikërisht në këto pika, që në fakt nuk janë çështje politike, po janë çështje e rregullimit të tregut dhe çështje e monitorimit të tregut. Prandaj synohet që në të ardhmen rregullatori të ketë më shumë kompetenca dhe më të detajuara në monitorimin dhe mirëpo edhe në adresimin e ankesave të konsumatorëve në pikërisht furnizimit, faturimit dhe çështjeve për të cilat kryesisht kemi ankesa”, tha Rizvanolli.
Një tjetër ndryshim që parasheh projektligji, sipas ministres, është forcimi i mbikëqyrjes së tregut të energjisë dhe mbrojtja e konkurrencës.
Rizvanolli ka theksuar se këto ndryshime reflektojnë zhvillimet e fundit në tregun evropian të energjisë, ndërsa i ka vlerësuar të rëndësishme edhe për Kosovën, veçanërisht për shkak të disa rasteve të dyshimta të identifikuara gjatë viteve të fundit.
“Pastaj është shkurtimi mbi çfryjjen e tregut të energjisë dhe mbrojtja e konkurrencës. Në veçanëti, çfarë është e re është që projekt i ri rregullon monitorimin dhe parandalimin e manipulimit të tregut dhe tregtimit në bazë të informatave të brendshme dhe parashikon regjistrimin dhe mbikëqyrjen e pjesëmarrësve në treg.Kjo reflekton zhvillimet më të reja në tregun e energjisë elektrike në Evropë dhe rregulloret atje që janë për të luftuar manipulimin e tregut. Mirëpo konsideroj që janë gjithashtu të rëndësishme në Kosovë, veçanërisht në dritë të disa rasteve të dyshimta që janë identifikuar gjatë viteve të fundit”, ka shtuar ministrja.
Rizvanolli ka folur edhe për ndryshimet që lidhen me licencimin dhe mbikëqyrjen e ndërmarrjeve të energjisë. Sipas saj, projektligji parasheh lehtësimin e procedurave të licencimit për kapacitetet e vogla, duke përjashtuar nga detyrimi për pajisje me leje disa sisteme të ruajtjes së energjisë dhe instalime të vetëprodhimit që nuk janë të kyçura në rrjet, deri në kapacitetin prej një megavati.
Ajo ka theksuar se kjo do të lehtësojë procedurat për qytetarët dhe bizneset, duke përmendur se deri më tani kërkohej licencë dhe autorizim edhe për vendosjen e paneleve solare në çatitë e shtëpive.
“Pastaj, gjithashtu me rëndësi është që ka disa ndryshime sa i përket licencimit dhe mbikëqyrjes së ndërmarrjeve të energjisë. Në njërën anë ka disa lehtësime për procedurat e licencimit duke përjashtuar nga detyrimi për pajisje me leje, ndër të tjera, sistemet e ruajtjes së energjisë dhe instalimet e vetë prodhimit, pra që nuk hyjnë në rrjet, në kapacitet deri në 1 megavat. Pra, përderisa deri tani kemi pasur një ligj që ka detyruar madje për vendosjen e disa paneleve solare në çati, kërkohet licencë dhe autorizim nga bordi i Zëres. Tani për këto instalime deri në 1 megavat, por edhe për bateri të deri me 1 megavat, nuk do të kërkohet parëre një leje e tillë që e lehtëson jashtëzakonisht qytetarët dhe bizneset këtë proces”, shtoi ajo.
Megjithatë, ministrja ka bërë të ditur se krahas lehtësimit të procedurave për kapacitetet e vogla, projektligji parasheh edhe kontrolle më të forta ndaj aplikuesve për licenca dhe leje në rastet kur ekzistojnë dyshime të bazuara për rrezik ndaj sigurisë kombëtare, sigurisë së furnizimit apo funksionimit të tregut të energjisë.
Në këto raste, sipas saj, rregullatori do të ketë mundësi të kërkojë informata dhe dokumentacion shtesë për pronarët përfitues, strukturën e pronësisë, personat që ushtrojnë kontroll mbi ndërmarrjen, si dhe burimet e financimit.
Rizvanolli ka thënë se një mekanizëm i tillë ka munguar deri më tani dhe se, duke marrë parasysh krizat dhe zhvillimet në tregun e energjisë, është e rëndësishme që ZRRE-ja të ketë kompetenca më të mëdha për të kontrolluar pronësinë dhe burimin e financimit të aplikuesve.
“Mirëpo në anën tjetër, përderisa ka lehtësi të tilla për kapacitetet e vogla, projekt i cili parashikon kontrollin më të fortë ndaj aplikuesve për leje. Në raste kur ekzistojnë dyshime të bazuara për rrezikun ndaj sigurisë kombëtare, sigurimit të furnizimit ose funksionim të tregut të energjisë, rregullatori kufron informata dhe dokumentacion shtesë në lidhje me pronarët përfitues për fitues, strukturën e pronësisë dhe persona që ushtrojnë kontroll mbi ndërmarrjen dhe burimet e financimit. Kjo është një mekanizëm i cili ka munguar deri tani dhe veçanërisht duke marrë parasysh të gjitha krizat që na kanë shoqëruar e që na shoqërojnë në të gjitha zhvillimet në treg, konsiderojmë që është me rëndësi që rregullatori të ketë një kompetencë, një hapësirë ligjore për të kontrolluar më shumë edhe burimin e financimit, edhe pronësinë e aplikantëve për leje”, potencoi Rizvanolli.
Pas raportimit ky projektligj u votua nga anëtarët e komisionit./EO
Burimi: Dukagjini




