Festa e fejesës së djalit i ka hapur telashe me Policinë një 64-vjeçari nga Podujeva, i cili dyshohet se ka shtënë disa herë me armë me gaz në shenjë gëzimi. Rasti është zbuluar një ditë më vonë, pas informacioneve të siguruara nga hetuesit policorë, ndërsa në vendin ku ishin dëgjuar të shtënat janë gjetur 15 gëzhoja, mëson Gazeta Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 8 nëntor, rreth orës 10:00, në fshatin Lupç i Poshtëm të Podujevës.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari është Naim Kaçiu (64), ndërsa rasti ka arritur në Polici të hënën, më 9 nëntor, rreth orës 18:10.
Pas pranimit të informacionit për të shtëna me armë, hetuesit kanë kontaktuar Prokurorinë, e cila ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme.
Njësitë policore kanë shkuar në shtëpinë e 64-vjeçarit, ku ai ka pranuar se kishte shtënë disa herë me armë me gaz, duke shpjeguar se këtë e kishte bërë për të festuar fejesën e djalit.
Kaçiu e ka dorëzuar vullnetarisht armën, ndërsa gjatë kontrollit të vendit ku dyshohet se ishin kryer të shtënat, Policia ka gjetur 15 gëzhoja.
Pas sekuestrimit të armës dhe dokumentimit të rastit, 64-vjeçari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Me vendim të Prokurorisë, ndaj tij është iniciuar procedura për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
I dyshuari është liruar pas intervistimit dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




