Një episod i pazakontë ka ndodhur në ndeshjen mes Pogradecit dhe Ilirisë, e vlefshme për javën e 12-të të Kategorisë së Parë të futbollit shqiptar.

Në minutën e 28-të të takimit, futbollisti i Ilirisë, Santiago Selmani, gjatë një dyluftimi për topin me kundërshtarin e tij, Mateo Shanaj, tentoi ta kafshonte lojtarin e Pogradecit.
Ngjarja, e cila ndodhi para syve të gjyqtarit Dyrmishi, solli ndëshkimin e menjëhershëm të Selmanit me karton të kuq, ndërsa Shanaj u ndëshkua me karton të verdhë.
Vendimi i arbitrit shkaktoi tensione në fushë, aq sa u diskutua edhe mundësia e tërheqjes së skuadrës së Ilirisë nga loja. Në këtë moment ndërhyri trajneri Dritan Smajlaj, i cili u përpoq të qetësonte futbollistët e tij, por edhe ai u ndëshkua me karton të kuq.
Për shkak të situatës së krijuar, ndeshja u ndërpre për disa minuta dhe rifilloi në minutën e 35-të.
Pas vazhdimit të takimit, Pogradeci, që luajti me një futbollist më shumë, arriti të fitojë me rezultat 3-0, duke u ngjitur në krye të tabelës së klasifikimit në Kategorinë e Parë.
Episodi mes Selmanit dhe Shanajt kujtoi incidentin e famshëm të Luis Suárezit me Giorgio Chiellinin gjatë Kampionatit Botëror të vitit 2014.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





