Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu, e cila e pyeti nëse vazhdon të qëndrojë prapa deklaratës së tij, të bërë gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2021, se familjarët janë për dasma e jo për institucione.

Pavarësisht raportimeve të vazhdueshme për punësime mbi baza familjare, Kurti tha se vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim, me një sqarim ‘shtesë’.
“Ju e keni shkurtuar deklaratën me pak fjalë, por i qëndroj prapa asaj. Luftim i korrupsionit dhe nepotizmit pa asnjë kompromis. Nuk kam thënë duhet të vijë dikush që s’ka familje e farefis, por mos me qenë familja e farefisi lidhja, kushti dhe mundësia përmes të cilës dikush punësohet. Kjo nuk nënkupton që familjarët e farefisin e secilit ta persekutojmë apo largojmë nga Kosova”, tha Kurti.
Bile, ai tha se familja e tij, konkretisht prindërit e vëllezërit kurrë s’i kanë shkuar në zyrë, e lëre më, sipas tij, dikush të avancohet për shkak të lidhjes me të.
“As dy vëllezërit e mi e as dy prindërit e mi nuk kanë ardhur kurrë në ndërtesën apo zyrën time të Qeverisë. Ma gjeni një Kurti që u avancua diku. Absolutisht nuk mund ta gjeni asnjë që për shkak të lidhjeve me mua përparoi diku”, deklaroi ai. /Klankosova.tv





