Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, me rastin e marrjes së detyrës së Presidentes së Kosovës.

Në letrën e tij, Steinmeier i ka përcjellë Shiroka Pulës urimet më të mira, në emrin e tij dhe të qytetarëve gjermanë, duke vënë theksin te rëndësia e funksionalizimit të plotë të institucioneve të Kosovës.
Ai ka vlerësuar se rikthimi i funksionalitetit të institucioneve përbën një lehtësim edhe për Gjermaninë, si shtet mik dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës.
“Fakti që tani të gjitha institucionet kushtetuese janë sërish plotësisht funksionale dhe të afta për të vepruar, përbën një lehtësim të madh edhe për Gjermaninë, si shtet mik dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës. Muajt e bllokadës politike treguan se sa të çmuara janë institucionet funksionale dhe sa shumë varen nga gatishmëria e forcave politike për të marrë përgjegjësi përtej kufijve partiakë”, thuhet në letrën e presidentit gjerman.
Steinmeier ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në Evropë, duke bërë thirrje për avancimin e reformave dhe të integrimit euro-atlantik.
“Prandaj tani është koha për të drejtuar vështrimin përpara, për të avancuar reformat e nevojshme me një dinamikë të re dhe për të shtyrë përpara integrimin euro-atlantik të Kosovës. Në këtë proces, rëndësi të madhe kanë respektimi i detyrimeve ndërkombëtare, ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka shkruar ai.
Në fund të letrës, presidenti gjerman ka rikonfirmuar se Gjermania do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës si partnere e besueshme dhe ta mbështesë me vendosmëri në rrugën e saj evropiane.
Po ashtu, Steinmeier ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e ardhshëm me Presidenten Shiroka Pula, duke i uruar asaj sukses dhe urtësi në ushtrimin e detyrës.
Burimi: Insajderi




