Borxh njëmilionësh, kërcënime dhe detyrim për shitjen e pronës – Sinjali siguron aktakuzën ndaj familjarit të ish-presidentit Thaçi dhe Egzon Buxhukut

Borxh njëmilionësh, kërcënime dhe detyrim për shitjen e pronës – Sinjali siguron aktakuzën ndaj familjarit të ish-presidentit Thaçi dhe Egzon Buxhukut

Borxh njëmilionësh, kërcënime dhe detyrim për shitjen e pronës – Sinjali siguron aktakuzën ndaj familjarit të ish-presidentit Thaçi dhe Egzon Buxhukut

Një borxh i pretenduar prej një milion eurosh, që përfshinte një vilë, një orë “Rolex” dhe para për investim në kriptovaluta, qëndron në prapavijën e një aktakuze për kanosje, detyrim dhe dëmtim të restorantit “Como” në Babush të Ferizajt.

Sponsor 3M Express

Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzon Hamdi Thaçin, familjar i ish-presidentit Hashim Thaçi, dhe Egzon Buxhukun se, për të realizuar një borxh që pretendonin se ua kishte Elsad Hyseni, ushtruan presion mbi dajën e tij, Mexhid Bajrami, duke e detyruar të nënshkruante autorizim për shitjen e pronës.

Në aktakuzën e datës 25 shtator 2026, të cilën e ka siguruar Gazeta Sinjali, përshkruhen kërcënime për jetë, dërgimi i të dëmtuarit kundër vullnetit të tij në një zyrë noteriale dhe hyrja me forcë në restorantin e tij.

Pjesë e aktakuzës janë edhe djali i Hamdiut, Shpëtim Thaçi, dhe Elvin Hyseni. Të katër akuzohen për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Ndërkaq, Hamdi Thaçi akuzohet edhe për kanosje, kurse bashkë me Egzon Buxhukun për detyrim dhe asgjësim apo dëmtim të pasurisë në bashkëkryerje.

Buxhuku, në të dhënat personale të aktakuzës, figuron si tregtar në fabrikën e mishit “Buquku”.

Sipas Prokurorisë, kanosja e parë e përshkruar në aktakuzë kishte ndodhur më 15 qershor 2026. Hamdi Thaçi pretendohet se e kishte telefonuar Mexhid Bajramin përmes telefonit të nipit të tij, Elsad Hysenit, duke i kërkuar të nënshkruante për bartjen e pronës.

“Hajde nënshkruaje, ma bart pronën, se nuk e lëshoj të gjallë këtë (Elsadin), po mos ma mbyll derën mua dhe ty”, janë fjalët që, sipas aktakuzës, Thaçi ia kishte drejtuar të dëmtuarit.

Prokuroria pretendon se kjo kanosje i kishte shkaktuar Bajramit frikë, ankth dhe pasiguri.

Mosmarrëveshja, sipas dokumentit, lidhej me një vilë në vlerë prej 400 mijë eurosh, një orë të markës “Rolex” prej 60 mijë eurosh dhe 540 mijë euro në para të gatshme, të destinuara për transferim në platformën “Binance” përmes kriptovalutave. Këto përshkruhen si pjesë e borxhit që, sipas pretendimeve, Elsad Hyseni ua kishte Hamdi Thaçit dhe Egzon Buxhukut.

Akuza për detyrim lidhet me ngjarjen e 30 qershorit 2026.

Sipas Prokurorisë, Hamdi Thaçi dhe Egzon Buxhuku, bashkë me persona të tjerë, kishin shkuar në restorantin “Como”, ku ndodhej Bajrami. Përmes forcës dhe kanosjes serioze, pretendohet se e kishin detyruar të hynte në automjetin e tyre dhe e kishin transportuar në një zyrë noteriale në Ferizaj.

Atje, sipas aktakuzës, i dëmtuari, nën ndikimin e frikës dhe detyrimit, kishte nënshkruar një autorizim në emër të Hamdi Thaçit për shitjen e pjesëve të tij në dy parcela në Babush.

Dokumenti përshkruan dy parcela me sipërfaqe prej 18 mijë e 950 metrash katrorë dhe 8 mijë e 22 metrash katrorë, në të cilat Bajrami kishte nga një të gjashtën pjesë ideale.

Prokuroria e cilëson nënshkrimin si veprim juridik në dëm të pasurisë së të dëmtuarit dhe në kundërshtim me vullnetin e tij të lirë. Sipas aktit noterial të përshkruar në aktakuzë, autorizimi ishte revokuar më 13 korrik.

Në deklarimin e tij të përfshirë në dokument, Bajrami kishte pretenduar se ishte kërcënuar edhe me rrënimin e objektit me ekskavator dhe se, nga frika për veten e familjen, ishte mbyllur në shtëpi.

Ai kishte deklaruar se personalisht nuk u kishte borxh këtyre personave.

Një tjetër pikë e aktakuzës përshkruan dëmtimin e restorantit “Como” më 12 korrik 2026.

Hamdi Thaçi dhe Egzon Buxhuku akuzohen se, së bashku me persona të tjerë, kishin thyer pjesë të objektit dhe kishin depërtuar me forcë brenda tij. Sipas Prokurorisë, ishin dëmtuar kamerat e sigurisë dhe zyrat, ndërsa nga objekti ishin marrë disa dokumente.

Shuma e dëmit material, në kohën e ngritjes së aktakuzës, ende nuk ishte përcaktuar.

Si provë për këtë pjesë, Prokuroria përmend edhe pamje filmike, për të cilat pretendon se shfaqin të pandehurit duke u afruar te objekti, duke thyer derën dhe duke hyrë brenda restorantit.

Sipas raportit policor të përshkruar në aktakuzë, më 13 korrik Bajrami ishte paraqitur në polici për të raportuar kërcënimet. Pas kësaj, zyrtarët policorë kishin shkuar në restorant, ku kishin hasur katër të pandehurit.

Gjatë kontrollit, sipas akuzës, Hamdi Thaçit i ishte gjetur një pistoletë “Glock 17 Gen 5” me 34 fishekë, Shpëtim Thaçit një “Sig Sauer” me 30 fishekë, Egzon Buxhukut një “FN” me 19 fishekë dhe Elvin Hysenit një “CZ 99 Compact G” me 15 fishekë.

Dokumenti evidenton edhe sekuestrimin e lejeve të armëve për Hamdi Thaçin, Shpëtim Thaçin dhe Egzon Buxhukun. Megjithatë, Prokuroria pretendon se posedimi i tyre në rrethanat e përshkruara ishte në kundërshtim me ligjin dhe ka ngritur akuzë ndaj të katërve, duke kërkuar edhe konfiskimin e përhershëm të armëve dhe municionit.

Në pjesën e aktakuzës ku paraqiten deklarimet e të pandehurve, Hamdi Thaçi rezulton se kishte shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, si në polici, ashtu edhe në Prokurori.

Egzon Buxhuku, në deklarimin e tij në polici, kishte mohuar dëmtimin e restorantit, komunikimin telefonik me Bajramin dhe pjesëmarrjen te noteri për pronën e “Como”-s. Ai kishte deklaruar se në restorant kishte shkuar për t’u bërë shoqëri Hamdi dhe Shpëtim Thaçit.

Për armën, Buxhuku kishte pretenduar se leja i kishte skaduar dhe se ishte në pritje të vazhdimit të saj. Në deklarimin e mëvonshëm në Prokurori, kishte shfrytëzuar të drejtën e heshtjes.

Shpëtim Thaçi kishte mohuar të kishte mosmarrëveshje me Bajramin dhe Elsad Hysenin. Sipas deklarimit të përfshirë në aktakuzë, ai kishte pranuar praninë në restorant dhe kishte thënë se armën e kishte pasur pasi më herët kishte qenë në poligon.

Përmes aktakuzës, Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Ferizaj që, pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat që u vihen në barrë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Ministria e Ekonomisë: Zyrtari kërcënoi me armë eprorin e tij, arrestohet

Ministria e Ekonomisë: Zyrtari kërcënoi me armë eprorin e tij, arrestohet

Lista Studentore e Serbisë premton dyfishimin e buxhetit ushtarak në 5 për qind

Lista Studentore e Serbisë premton dyfishimin e buxhetit ushtarak në 5 për qind

Labi befason: Mbi 200 mijë euro i fitova prej kur dola nga Big Brother

Labi befason: Mbi 200 mijë euro i fitova prej kur dola nga Big Brother