Parlamenti i ri i Izraelit betohet mes përpjekjeve për formimin e qeverisë së re

Parlamenti i ri i Izraelit betohet mes përpjekjeve për formimin e qeverisë së re

Parlamenti i ri i Izraelit betohet mes përpjekjeve për formimin e qeverisë së re

Parlamenti i ri i Izraelit do të bëjë betimin të martën, ndërsa lideri i opozitës, Gadi Eisenkot, po përpiqet të formojë një qeveri për t’i dhënë fund udhëheqjes së kryeministrit në detyrë, Benjamin Netanyahu.

Sponsor 3M Express

Ish-shefi i ushtrisë është mandatuar nga presidenti Isaac Herzog për formimin e qeverisë, pasi mori mbështetjen e 67 deputetëve në Knesset, parlamentin me 120 vende. Në anën tjetër, Netanyahu siguroi mbështetjen e 46 deputetëve.

Megjithatë, Eisenkot përballet me një sfidë të vështirë. Koalicioni i përbërë nga katër parti, të cilin ai e udhëheq, fitoi 48 ulëse në zgjedhjet e muajit të kaluar, ndërsa blloku i Netanyahut siguroi 53. Asnjëri nuk ka shumicën e nevojshme për të qeverisur.

Eisenkot ka 28 ditë kohë për të siguruar mbështetjen e nevojshme dhe për të krijuar një koalicion, me mundësi që afati të zgjatet edhe për dy javë, transmeton Telegrafi.

Parlamenti i ri pritet të ketë një përbërje dukshëm të ndryshme nga ai paraprak, pasi pothuajse gjysma e deputetëve që do të betohen nuk kanë qenë pjesë e legjislaturës së kaluar. Gjithashtu, partitë e udhëhequra nga arabët kanë siguruar numrin më të madh të ulëseve në historinë e tyre.

Rezultati i zgjedhjeve, të cilat u konsideruan gjerësisht si një referendum për Netanyahun, ka krijuar pasiguri rreth asaj se kush do ta drejtojë qeverinë e ardhshme. Deri në përfundimin e procesit, Netanyahu do të vazhdojë të shërbejë si kryeministër në detyrë. Formimi i qeverisë mund të zgjasë nga disa ditë deri në disa muaj.

Një nga rezultatet më të rëndësishme të zgjedhjeve ishte performanca e dy aleancave arabe, Lista e Bashkuar Arabe dhe Lista e Përbashkët, të cilat fituan gjithsej 19 ulëse, pas rritjes së pjesëmarrjes së votuesve arabë.

Për këtë arsye, partitë arabe mund të bëhen përcaktuese për formimin e shumicës parlamentare. Megjithatë, Netanyahu ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me to, ndërsa tri nga katër partitë e bllokut të Eisenkotit janë shprehur kundër përfshirjes së tyre në koalicion.

Të dielën, presidenti Isaac Herzog ia besoi Eisenkotit detyrën për të tentuar formimin e qeverisë së re.

Duke folur në rezidencën presidenciale, lideri i partisë centriste Yashar bëri thirrje për krijimin e një “qeverie të unitetit kombëtar”, duke u kërkuar partive që të lënë mënjanë dallimet ideologjike për të larguar Netanyahun nga pushteti.

Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të kërkonte “hapa politikë krijues dhe jokonvencionalë”.

Eisenkot deklaroi se çdo parti apo deputet që pranon katër parime mund t’i bashkohet qeverisë së tij të propozuar.

Kushtet përfshijnë njohjen e Izraelit si shtet hebre dhe demokratik, pranimin e vlerave të Deklaratës së Pavarësisë, mbështetjen për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, kombëtar ose civil për të gjithë qytetarët, përfshirë komunitetet aktualisht të përjashtuara, si dhe njohjen e Hamasit si organizatë terroriste dhe angazhimin për shkatërrimin e kapaciteteve të tij ushtarake dhe qeverisëse.

Megjithatë, këto kushte mund të krijojnë pengesa serioze për partnerët e mundshëm të Eisenkotit.

Një nga çështjet kryesore të fushatës zgjedhore ishte shërbimi i detyrueshëm ushtarak për burrat hebrenj ultra-ortodoksë, të cilët aktualisht përjashtohen nga ky detyrim nëse ndjekin studime fetare me kohë të plotë.

Partitë ultra-ortodokse United Torah Judaism (UTJ) dhe Shas, të cilat fituan gjithsej 13 ulëse, kundërshtojnë fuqishëm çdo ndryshim të kësaj praktike. Në të kundërt, të gjitha partitë e bllokut të Eisenkotit kishin bërë fushatë për ndryshimin e saj.

Katër parimet e propozuara paraqesin vështirësi edhe për partitë arabe. Ato theksojnë të drejtat e barabarta kombëtare dhe civile për qytetarët arabë të Izraelit, të cilët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë.

Shumica dërrmuese e tyre nuk janë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak, ndërsa asnjëra nga dy aleancat nuk e ka njohur publikisht Hamasin si organizatë terroriste.

Megjithatë, partitë arabe mund ta ndihmojnë Eisenkotin të krijojë një qeveri të pakicës. Lista e Bashkuar Arabe, e cila fitoi tetë ulëse, ka deklaruar se është e gatshme të bëhet pjesë e një koalicioni të udhëhequr prej tij.

Ndërkaq, Lista e Përbashkët, me 11 deputetë, ka ofruar mbështetje parlamentare nga jashtë koalicionit.

Nëse Eisenkot do ta pranonte këtë marrëveshje, do të duhej gjithashtu të bindte partnerët e tjerë që ta mbështesnin. Avigdor Lieberman, lideri i partisë Yisrael Beiteinu, e cila fitoi shtatë ulëse, deri më tani ka refuzuar t’i bashkohet një qeverie të pakicës që do të varej nga votat e deputetëve arabë.

Në anën tjetër, partitë ultra-ortodokse mund të kërkojnë lëshime të mëdha për çështjen e shërbimit ushtarak në këmbim të mbështetjes së tyre. Kërkesa të tilla mund të jenë të papranueshme për shumicën e partive në bllokun e Eisenkotit.

Netanyahu, i cili është kryeministri më jetëgjatë në historinë e Izraelit, përsëriti të hënën, përmes një videoje, thirrjen për formimin e një qeverie të unitetit kombëtar, të cilën synon ta drejtojë vetë.

Ai tha se në këtë qeveri mund të përfshihet çdo parti sioniste, pra që mbështet Izraelin si shtet hebre, përfshirë edhe partitë opozitare.

Netanyahu paralajmëroi kundër krijimit të një qeverie që do të varej nga mbështetja e asaj që ai i quajti “islamistët”, duke iu referuar me sa duket partive arabe.

“Nuk mund të formoni një qeveri me mbështetësit e Hamasit”, deklaroi ai. /Telegrafi/

Lexo edhe

Dy gjykata e kërkonin me urdhërarrest, 31-vjeçari kapet nga Policia në Lipjan – ky është i arrestuari

Dy gjykata e kërkonin me urdhërarrest, 31-vjeçari kapet nga Policia në Lipjan – ky është i arrestuari

Lumbardh Dellova lirohet nga grumbullimi i Kombëtarës

Lumbardh Dellova lirohet nga grumbullimi i Kombëtarës

Shiroka Pula takon shefin e EULEX-it, diskutojnë për sundimin e ligjit në Kosovë

Shiroka Pula takon shefin e EULEX-it, diskutojnë për sundimin e ligjit në Kosovë

Parlamenti i ri i Izraelit betohet mes përpjekjeve për formimin e qeverisë së re | Momenti