Mbi 575 mijë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore për kultivimin e kërpudhave, mijëra euro shpenzime të raportuara si të realizuara dhe dyshime për keqpërdorim të 62,902 eurove. Këto janë detajet e hetimit që çoi në arrestimin e dy ish-drejtuesve të kompanisë “Hirano Mushroom” në Mitrovicë, mëson Gazeta Sinjali.

Në qendër të rastit janë Hasan Lahu rreth 49-vjeçar, ish-drejtor i kompanisë dhe Taulant Murati rreth 33-vjeçar, menaxher, të cilët dyshohen se gjatë viteve 2022–2023 kanë keqpërdorur një pjesë të fondeve ndërkombëtare të dedikuara për blerjen e makinerive dhe pajisjeve për kultivimin e kërpudhave.
Burimet e Sinjalit kanë zbuluar se kompania kishte përfituar dy grante në vlerë të përgjithshme prej 575,736 eurosh, por hetimet kanë evidentuar dyshime për raportime të pavërteta lidhur me realizimin e investimeve.
Granti i parë, prej 293,500 eurosh, ishte siguruar përmes Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (ARDP), të financuar nga Banka Botërore.
Nga kjo shumë, hetuesit dyshojnë se janë keqpërdorur 23 mijë euro, pasi shpenzimet për blerjen e makinerive ishin paraqitur si të realizuara plotësisht, ndonëse sipas dyshimeve kjo nuk përputhej me investimet e kryera.
Një skemë e ngjashme dyshohet se është përdorur edhe me grantin e dytë, prej 282,236 eurosh, të siguruar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Në këtë rast, shuma e dyshuar si e keqpërdorur arrin në 39,902 euro, sërish përmes raportimeve për shpenzime të makinerive dhe pajisjeve.
Kështu, nga dy grantet ndërkombëtare, hetuesit kanë identifikuar një shumë të përgjithshme prej 62,902 eurosh, për të cilën dyshohet se është keqpërdorur.
Por një nga detajet më domethënëse të këtij rasti është mënyra se si ka nisur hetimi.
Kallëzimin penal e kanë paraqitur vetë përfaqësuesit e kompanisë “Hirano Mushroom”, të cilët kanë denoncuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dyshimet për dëmin financiar të shkaktuar kompanisë.
Pas zhvillimit të hetimeve, të mërkurën, më 11 nëntor, Lahu dhe Murati janë intervistuar në prani të avokatëve të tyre mbrojtës dhe, me vendim të Prokurorisë, janë ndaluar për 48 orë.
Dy ish-drejtuesit po hetohen për veprën penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga komuniteti ndërkombëtar”, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar përgjegjësinë e tyre lidhur me përdorimin dhe raportimin e fondeve.
Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





