Seanca gjyqësore ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të së ndjerës Arlinda Zekaj, e paraparë të mbahej sot, më 12 nëntor 2026, në Gjykatën Themelore në Pejë, është shtyrë për një datë tjetër, raporton Gazeta Sinjali.

Jeton Sylaj akuzohet për veprën penale “Kanosja”, pasi sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, dyshohet se kishte kërcënuar seriozisht ish-bashkëshorten e tij.
“Kam me të mbyt, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujt me të hek nga dora ime”, janë disa nga kërcënimet që, sipas aktakuzës, i akuzuari ia kishte drejtuar Arlindës.
Seanca ishte paraparë të zhvillohej me dyer të mbyllura, pa praninë e publikut dhe mediave.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës, ndërsa për vrasjen e saj dyshohet Albert Sylaj, vëllai i Jeton Sylajt.
Ende nuk është konfirmuar data e re e mbajtjes së seancës, ndërsa arsyeja e shtyrjes nuk është bërë e ditur.
Shënim: Personat e akuzuar konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali





