Në Gjykatën Themelore në Pejë, sot, më 12 nëntor 2026, pritet të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të së ndjerës Arlinda Zekaj, i cili akuzohet për veprën penale “Kanosja”.

Seanca është caktuar të fillojë në orën 11:00, ndërsa me vendim të Gjykatës, ajo do të zhvillohet me dyer të mbyllura, pa praninë e publikut dhe përfaqësuesve të mediave.
Vendimi për përjashtimin e publikut është marrë më 10 nëntor, pas kërkesës së Prokurorisë, me arsyetimin se gjatë procesit pritet të trajtohen informacione të ndjeshme që lidhen me jetën personale dhe familjare të palëve, përfshirë edhe të dhëna për fëmijën e mitur.
Jeton Sylaj akuzohet se kishte kërcënuar me vrasje ish-bashkëshorten e tij, Arlinda Zekaj, e cila më 25 tetor u vra në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet Albert Sylaj, vëllai i Jetonit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 23 tetor 2026, Jeton Sylaj dyshohet se gjatë muajit dhjetor të vitit 2025 e kishte kanosur seriozisht Arlindën, duke i shkaktuar frikë dhe ankth.
“Kam me të mbyt, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujt me të hek nga dora ime”, janë disa nga kërcënimet që, sipas aktakuzës, i akuzuari ia kishte drejtuar viktimës.
Në deklarimet e saj para organeve të drejtësisë, Arlinda kishte pretenduar se për vite me radhë kishte qenë viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike nga ish-bashkëshorti.
Ndërkohë, sipas aktakuzës, Jeton Sylaj kishte pranuar se i kishte shqiptuar disa prej fjalëve kërcënuese, por kishte pretenduar se kjo kishte ndodhur për shkak të shqetësimeve lidhur me djalin e tyre.
Rasti merr peshë të veçantë edhe për faktin se Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje institucionale përpara se të vritej.
Më 7 shtator 2026, ajo kishte paraqitur kërkesë për urdhër mbrojtës emergjent, ndërsa më 16 tetor Gjykata kishte vendosur që urdhri të shndërrohej në urdhër të rregullt mbrojtës, me kohëzgjatje prej gjashtë muajsh.
Megjithatë, më 25 tetor, vetëm dy ditë pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-bashkëshortit, Arlinda u vra. Aktakuza ishte pranuar në Gjykatë më 26 tetor, një ditë pas vrasjes.
Vrasja e saj nxiti reagime të shumta dhe ngriti pikëpyetje serioze për mënyrën se si institucionet përgjegjëse kishin trajtuar denoncimet dhe kërkesat e saj për mbrojtje.
Sot, për herë të parë në këtë proces penal, Jeton Sylaj pritet të dalë para trupit gjykues për t’u përballur me akuzën e kanosjes ndaj gruas që më pas humbi jetën tragjikisht.
Pavarësisht vendimit për mbylljen e seancës, rasti mbetet në qendër të vëmendjes publike, ndërsa përgjegjësia penale e të akuzuarit do të përcaktohet nga Gjykata.
Shënim: I akuzuari konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





